Mikel Arteta e ka cilësuar Mikel Merinon si një nga lojtarët më inteligjentë që ka trajnuar, pas fitores 4-2 të Arsenalit ndaj Ipswich Town në Kupën Carabao.
Merino, i cili mbajti shiritin e kapitenit në ndeshjen e zhvilluar në Portman Road, shënoi gjithashtu një gol. Arteta vlerësoi veçanërisht inteligjencën taktike, altruizmin dhe aftësinë e spanjollit për të luajtur në disa pozicione.
“Ai është i pabesueshëm. Është një nga lojtarët më inteligjentë që kam parë dhe kam trajnuar”, tha Arteta.
Tutje, Arteta shtoi se Merino ka cilësi unike dhe një aftësi të veçantë për të hyrë në zonë dhe për të shënuar.
Ndërkohë, në takim, për Arsenalin shënuan gjithashtu Noni Madueke dhe 16-vjeçari Max Dowman, i cili realizoi dy gola.
Pavarësisht se këtë sezon ka pasur më pak minuta në Premierligë, Merino mbetet një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Artetës. Pas ndeshjes, mesfushori spanjoll theksoi se ishte një nder i madh të mbante shiritin e kapitenit të Arsenalit, duke theksuar krenarinë për të përfaqësuar klubin.