Trajneri italian e ka nisur në mënyrë perfekte aventurën te Mançester Siti, duke fituar të katër ndeshjet e para në Premier Ligë.
Madje, një nga sukseset erdhi në “Old Trafford”, ndaj Mançester Junajtidit, në një derbi ku skuadra luajti për një pjesë të madhe me një lojtar më pak. Enzo Mareska po e bën të duket më të lehtë nga sa pritej një prej detyrave më të vështira në futboll, pasimin e Pep Guardiolës në stolin e Mançester Sitit.
Italiani ka regjistruar një nisje perfekte në “Etihad”, me katër fitore në katër javët e para të kampionatit. Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është qetësia me të cilën po e menaxhon skuadrën. Ndryshe nga Guardiola, i cili shpesh ishte shumë aktiv dhe emocional në vijën anësore,
Mareska qëndron më i qetë dhe duket se i beson plotësisht planit të tij. Një nga provat më të mëdha erdhi në “Old Trafford”, ku Siti mposhti Mançester Junajtidin 1-0, pavarësisht se luajti për një pjesë të konsiderueshme të takimit me një lojtar më pak. Kapiteni Ruben Dias ka theksuar se, pavarësisht ndryshimeve në stol, shumë prej parimeve të lojës së Sitit kanë mbetur të njëjta.
Krahasimet me Guardiolën kanë qenë të pashmangshme, por Mareska ka insistuar se ato nuk i krijojnë presion. Ai e pranon se trashëgimia e trajnerit spanjoll do të jetë gjithmonë e pranishme, por synon të ndërtojë identitetin e tij. Pas një vere me ndryshime të mëdha në skuadër, italiani po jep sinjale të forta se mund ta përballojë me sukses një prej sfidave më të mëdha në futbollin modern: të marrë drejtimin e një skuadre të ndërtuar dhe të mësuar me suksesin nga një trajner si Guardiola.
Foden pas të kuqit: Krenar që jam pjesë e Sitit
Ndërkohë, Fil Foden ka reaguar pas kartonit të kuq të diskutueshëm në fitoren 1-0 ndaj Mançester Junajtidit. Mesfushori anglez, titullar në formacionin e Mareskës, u ndëshkua me karton të kuq në pjesën e parë, pasi u duk se goditi me shkelm Bruno Fernandesin.
Pas ndeshjes, Foden reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur keqardhjen që nuk mundi të ndihmonte ekipin deri në fund. “Një paraqitje e jashtëzakonshme nga djemtë. Më vjen shumë keq që nuk munda të jepja kontributin tim siç duhet.
Krenar që jam pjesë e këtij ekipi”, shkroi ai. Teksa po largohej nga “Old Trafford”, Foden u pa gjithashtu duke u drejtuar tifozëve të Mançester Junajtidit me gjestin “1-0”, duke festuar fitoren e skuadrës së tij në derbi.