Spanja në lot, i japin lamtumirën e fundit futbollistit që humbi jetën në fushë

Futboll

Spanja në lot, i japin lamtumirën e fundit futbollistit që humbi jetën në fushë

Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 17:25
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra njerëz, përfshirë edhe figura të njohura të futbollit spanjoll

Futbollisti i CD Tenerife, spanjolli Jesus de Miguel, i cili ndërroi jetë të martën pas një përplasjeje të rëndë me portierin e Andorrës gjatë ndeshjes së kategorisë së dytë të futbollit spanjoll, u varros në Navahermosa, në provincën e Toledos.

Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra njerëz, përfshirë edhe figura të njohura të futbollit spanjoll, si presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, dhe përzgjedhësi i kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente.

Familja kërkoi privatësi

Para ceremonisë mortore, familja e futbollistit 30-vjeçar shprehu mirënjohjen për të gjitha mesazhet, shprehjet e dashurisë, mbështetjes dhe respektit që kishte marrë pas tragjedisë. Deklarata u lexua nga agjenti i futbollistit.

“Na mungojnë fjalët për t'i falënderuar të gjithë ata që na kanë dërguar mesazhe, na kanë telefonuar apo kanë shprehur dashurinë e tyre”, thuhej në deklaratën e familjes, e cila kërkoi respektimin e privatësisë dhe hapësirën e nevojshme për të përballuar dhimbjen në qetësi.

Në Navahermosa, vendlindja e prindërve të futbollistit dhe vendi ku jetojnë gjyshërit e tij, flamujt janë ulur në gjysmështizë në shenjë zie.

Komuna kishte shpallur tri ditë zie, duke filluar nga e marta, dita kur ndërroi jetë Jesús de Miguel.

Futbollistët kërkojnë shtyrjen e të gjitha ndeshjeve

Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) bëri thirrje të enjten për shtyrjen e të gjitha ndeshjeve profesionale të këtij vikendi, si shenjë respekti dhe humanizmi pas vdekjes së sulmuesit, e cila ka tronditur botën e futbollit.
Futbollistët dhe futbollistet e të gjitha niveleve, të kontaktuar nga sindikata e tyre, u shprehën njëzëri se ndeshjet e ardhshme të ligave të ndryshme spanjolle nuk duhet të zhvillohen.

“Është një ditë shumë e vështirë. Po i japim lamtumirën në një moment shumë të veçantë. Ai kishte një familje të mrekullueshme dhe një vajzë të vogël.

Është e vështirë. Ndalimi i garave është çështje e arsyes së shëndoshë.

Është njerëzi.

E kuptoj aspektin financiar, por sot Jesus nuk është më mes nesh. Sot po e varrosim”, deklaroi David Aganzo, president i AFE-së.

“Ne dëshiruam të jemi pranë familjes së Jesusit për t'u përcjellë dhimbjen, solidaritetin dhe respektin tonë”, tha përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat