Nderim i veçantë për Granit Xhakën nga mediumi i njohur britanik: Futbollisti më i mirë në histori me numrin 34

Futboll

Nderim i veçantë për Granit Xhakën nga mediumi i njohur britanik: Futbollisti më i mirë në histori me numrin 34

Nga: K.G. Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 13:47
Granit Xhaka e bart fanellën me numrin 34 pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist profesionist

Gazeta britanike “The Guardian” ka përzgjedhur futbollistin më të mirë në histori për secilin numër të fanellës, nga 1 deri në 50. Në këtë listë është edhe Granit Xhaka.

Ai është përzgjedhur si futbollisti më i mirë në histori që ka bartur numrin 34.

“Përzgjedhja për këtë numër u zhvillua mes holandezit Nigel de Jong dhe Granit Xhakës.

De Jong e kishte bartur fanellën me numrin 34 për pesë sezone te Manchester City, katër sezone te Milani, një sezon te LA Galaxy dhe një sezon te Galatasaray.

Një histori mbresëlënëse, por jo e mjaftueshme për ta fituar këtë përzgjedhje, pasi Xhaka e ka bartur këtë numër për tri sezone te Baseli, katër sezone te Borussia Mönchengladbachu, pesë nga shtatë sezonet te Arsenali, dy sezone te Bayer Leverkuseni dhe gjatë gjithë periudhës së tij deri më tani te Sunderland.

Por ja edhe arsyeja vendimtare: kapiteni i Zvicrës e kishte zgjedhur numrin 34 që në fillim, sepse pikërisht këtë numër e kishte autobusi me të cilin udhëtonte drejt stërvitjeve, kur ishte pjesë e grupmoshave të reja të Baselit”, shkruan mediumi britanik.

“The Guardian” ka përzgjedhur një tjetër legjendë të futbollit si lojtarin më të mirë që ka bartur ndonjëherë numrin 10: Diego Armando Maradonën (1960–2020).

Gazeta britanike ka marrë përsipër të përzgjedhë, për secilin numër të fanellës nga 1 deri në 50, futbollistin më legjendar ose më të mirë që e ka bartur atë numër.

Për këtë përzgjedhje janë marrë parasysh disa faktorë: Sa gjatë e ka bartur futbollisti atë numër? Pse e kishte zgjedhur fillimisht?

Çfarë trofesh ka fituar me të? Në disa raste, rol ka luajtur edhe rëndësia që ka marrë numri pas vdekjes së futbollistit.

Një përzgjedhje interesante, e cila sjell edhe shumë befasi.

Garë e fortë për numrin 5

Një shembull i tillë është numri 5. Këtë numër e bartte Zinedine Zidane (54) te Real Madridi për pesë vjet, periudhë gjatë së cilës fitoi Ligën e Kampionëve dhe titullin e kampionit të Spanjës.

Kur francezi i dha fund karrierës në verën e vitit 2006, fanellën me numrin 5 e trashëgoi Fabio Cannavaro (53), i cili gjatë tri viteve të ardhshme fitoi dy tituj kampionë.

Megjithatë, “The Guardian” përzgjodhi një tjetër futbollist: Franz Beckenbauer (1945–2024).

Gjermani ishte simbol i rolit të libero-s, të cilin e përcaktoi dhe e mishëroi gjatë viteve 1960 dhe 1970 te Bayern Munich dhe Kombëtarja e Gjermanisë.

“The Guardian” shkruan: “Ai dukej sikur ishte krijuar posaçërisht për të ecur nëpër fushën e futbollit me numrin 5 në shpinë, ndërsa në sfond dëgjohej një melodi imagjinare, e butë e xhazit me saksofon”.

Pas vdekjes së Beckenbauerit në vitin 2024, Bayern Munich nuk e ka tërhequr më nga përdorimi numrin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat