Barcelona po e përkëdhel Hamza Abdelkarim – klubi beson se ai do të bëhet njëri nga sulmuesit më të mirë në botë

Futboll

Barcelona po e përkëdhel Hamza Abdelkarim – klubi beson se ai do të bëhet njëri nga sulmuesit më të mirë në botë

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 12:20
Hamza, gjatë një ndeshjeje

Barcelona e vlerëson jashtëzakonisht shumë talentin e ri dhe beson se ai ka potencialin të bëhet një nga qendërsulmuesit më të mirë në botë.

Hamza Abdelkarim u bë i njohur gjatë Kampionatit Botëror të fundit. Deri atëherë, pak njerëz kishin dëgjuar për sulmuesin e ri, të cilin Barcelona e kishte transferuar në formë huazimi gjatë dimrit të kaluar dhe që aktivizohej në ekipin e të rinjve (Juvenil).

Sipas mediumit spanjoll “Marca”, megjithatë, ftesa nga Kombëtarja e Egjiptit për turneun e madh ndërkombëtar e vendosi atë në qendër të vëmendjes. Klubi katalanas nuk vonoi dhe aktivizoi opsionin e blerjes së tij për 1.5 milionë euro.

Në fakt, Barcelona ka besim të jashtëzakonshëm te sulmuesi egjiptian dhe drejtuesit sportivë janë të bindur se ai do të bëhet njëri nga numrat 9 më të mirë në botë. Ata nuk e humbin rastin për ta shprehur këtë edhe publikisht.

"Hamza Abdelkarim ka treguar gjatë fazës përgatitore instinktin e tij për gol, diçka që është shumë e vështirë të gjendet dhe që ne e kemi në skuadrën tonë."

Pas një vere gjatë së cilës pozita e qendërsulmuesit ishte temë e debatit te Barcelona, trajneri Hansi Flick gjeti zgjidhjen duke e vendosur Raphinhën në rolin e sulmuesit qendror.

Tani klubi mendon se kjo pozitë është e mbuluar mirë dhe se e ardhmja e saj është në duart e egjiptianit.
Bojan e përcjell nga afër zhvillimin e tij, ashtu siç bën me të gjithë futbollistët e rinj, dhe është i bindur në potencialin e përfaqësuesit egjiptian.

"Ne i kemi sulmuesit më të mirë në botë. Madje, kemi edhe një sulmues të ri, i cili do të bëhet njëri nga më të mirët.

Hamza Abdelkarim ka treguar gjatë fazës përgatitore instinktin e tij për gol, diçka që është e vështirë të gjendet dhe që ne e kemi në skuadrën tonë", deklaroi me krenari Bojan në një intervistë për “Catalunya Radio”, të mërkurën.

Klubi e bëri kështu të qartë besimin që ka te futbollisti egjiptian, pavarësisht minutave të pakta që ai ka marrë nën drejtimin e Hansi Flickut.

Deri më tani, Hamza ka qenë një emër i rregullt në listat e të ftuarve, por ka luajtur vetëm 12 minuta në dy ndeshje.

Madje, në mesin e muajit tetor, ai u aktivizua me Barcelonën B (Barça Atlètic) në ndeshjen kundër Utebos. Ai ishte titullar dhe arriti të shënonte një gol.

Siç kishte raportuar “Marca” para disa ditësh, pavarësisht minutave të pakta, as Barcelona dhe as vetë Hamza nuk e kanë në plan largimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.

Deklaratat e Bojanit e përforcojnë edhe më shumë këtë qëndrim.

Besimi i klubit te futbollisti është i plotë. Barcelona është e bindur se Hamza Abdelkarim ka potencialin të bëhet njëri nga sulmuesit më të mirë në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat