FHK: Faleminderit Taip Ramadani

Hendboll

FHK: Faleminderit Taip Ramadani

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 23:03
FHK: Faleminderit Taip Ramadani

Pas një bashkëpunimi shembullor për gati pesë vjet, erdhi koha për të ndarë rrugët me Taip Ramadanin. Ramadani në prill të vitit 2016 ishte emëruar në postin e selektorit të Kosovës në hendboll (meshkujt) dhe punën e ka kryer me përkushtim e dinjitet.

Në pamundësi që të udhëtoj nga Australia, Ramadani ka paraqitur dorëheqjen, të cilën Bordi i FHK-së ia miratoi këtë javë.

Por kontributi i Ramadanit për ngritjen e Kombëtares së Kosovës do të çmohet gjithnjë nga Federata e Hendbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i hendbollit.

Ndonëse në Australi, Ramadani ka përcjellë gjitha zhvillimet në hendbollin e Kosovës dhe hendbollin shqiptar në përgjithësi. I afërt dhe bashkëpunues me të gjithë, në veçanti me lojtarët dhe stafin, Ramadani ka kontribuuar për rritjen e profesionalizmit në Kombëtaren tonë.

Përmirësimi i rezultateve në periudhën e tij është i pamohueshëm. Kemi mposhtur Izraelin në kualifikime për Evropian dhe morëm një barazim me shije të fitores ndaj Polonisë. Në kualifikime për Botëror kemi mposhtur Gjeorgjinë dhe morëm barazim me Italinë. Ka edhe rezultate e ndeshje tjera që dëshmojnë rritjen e Kombëtares së Kosovës. Mbi të gjitha Kombëtarja është e konsoliduar dhe me selektorin e ri, Bujar Qerimi synon hapa tutje.

“Në emër të Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës e falënderoj selektorin e deritashëm, Taip Ramadani, për kontributin shumëvjeçar dhe për sukseset të cilat i ka arritur së bashku me ekipin e tij. Mund të konstatohet se Taip Ramadani ka qenë një nga selektorët më profesionist dhe më të suksesshëm të hendbollit të Kosovës. Shpresoj që në një të ardhme të afërt të kemi mundësi për një takim lamtumirës me Taipin”, ka thënë presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.

"Një takim lamtumirës do të organizohet me Ramadanin, por jemi të bindur se rrugët e tij me FHK-në do të bashkohen në të ardhmen, në një mënyrë apo tjetër.
Ne e dimë që FHK-ja dhe hendbolli i Kosovës te Taip Ramadani ka një përkrahës të përhershëm dhe të fuqishëm.
Faleminderit Taip Ramadani"m shkruan në faqen e FHK-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat