Abazi: FHK-ja është fajtore, selektorët nuk i zgjedhin lojtarët! Të jap dorëheqje Agron Shabani! 

Hendboll

Abazi: FHK-ja është fajtore, selektorët nuk i zgjedhin lojtarët! Të jap dorëheqje Agron Shabani! 

Nga: Kemajl Goca Më: 16 korrik 2021 Në ora: 15:44
Lulzim Abazi

Ish anëtari i Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Lulzim Abazi, njëherësh është edhe anëtar i kryesisë së klubit me renome të hendbollit Kastrioti nga Ferizaj (femrat), fajëson Federatën e Hendbollit të Kosovës, për mossuksese dhe për keqmenaxhim, po ashtu edhe selektorët e Kombëtares A të Kosovës (meshkuj e femra), sipas tij, dikush tjetër iu bën listat e lojtarëve dhe të lojtareve

Ai flet edhe për humbjet e thella të fundit të Kosovës U-20 në Kampionatin Evropian (femrat). 

“Problemi në hendboll është më i thellë, nuk duhet të merremi me kualifikimet e fundit, këtu problemi është i kahmotshëm. 

Është problem të organizimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës, nuk mund t’i fajësoj as selektorin as trajnerin, me këto humbje të thella, duhet të jap dorëheqje dikush, duhet të gjendet fajtori. Këtu janë probleme të thella. 

Këtu sikur mos me ndodhë asgjë në FHK, vazhdon avazi i vjetër, nuk e njohin hendbollin duke u nisur nga presidenti, që është njeriu jo i duhur, që mundet me qenë është ai.

Ai nuk ka interes me çuar hendbollin përpara, as dëshirën dhe as vullnetin, puna e tij është me mbet aty president dhe nënpresident në Komitetin Olimpik të Kosovës, me bë turne nëpër botë.

Hendbolli është duke çaluar vite me radhë, jemi më keq se kemi qenë përpara, sidomos me hendbollin femëror”, - tha Abazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

A mendoni se faji më i madh është tek klubet që nuk punojnë si duhet?

“Problemi është shtri në horizontale, në të gjitha nivelet, duke filluar edhe nga klubet.
Strumbullari i problemeve është federata.

Pse? Në bazë të përvojës, që kam qenë tetë vite në bord të FHK-së, kurrë nuk ka pasur organizim të mirë, të gjitha mjetet, fondet që janë thithë në formë të granteve që janë marrë nga shteti, janë shpenzuar për arenën ndërkombëtare, në përgatitje me kombëtaret të meshkujve dhe të femrave, të rinjve e të rejave, ndërsa rrafshi vendorë, klubeve nuk iu është ndihmuar me asnjë centi.

Prapëseprapë është një gjë interesante, të gjitha klubet sillen sikur të janë të kapura nga federata ashtu sikurse të jenë të gjitha milionere, ndërsa në fakt nuk paguhen lojtaret dhe lojtarët në shumicën e klubeve, bile as uji të pijes nuk kanë aty ku luhen ndeshje zyrtare.

Shtrohet pyetja si mund zhvillohen kombëtaret të meshkujt pa drejtor?”, thotë Abazi. 
Ish anëtari i bordit habit, duke thënë se selektorët nuk i zgjedhin lojtarët por disa individë. 

“Përzgjedhja e lojtarëve bëhet nga disa individë, assesi nga selektori edhe të meshkujt edhe të femrat.

Kështu që nuk mundem ne sot për një mos sukses mi fajësuar vashat tona sikur që ishin në kualifikimet e fundit në Kampionatin Evropian U-

20. Këto vasha i cilësoj plotësisht të pafajshme, aq dijnë aq japin nga vetja.

Selektori Agron Shabani duhet të jap dorëheqje.

Cilat janë arsyet? E para, nuk është duke qëndruar në Kosovë. Përzgjedhja bëhet nga njerëz të tjerë, nuk ka mundësi ai t’i verifikojë formën e lojtarëve sepse është jashtë shtetit edhe unë e dij që asnjë selektor as federata kurrë nuk kanë pasur program zhvillimi të hendbollit, se çka dojnë pas 2 viteve, 4, 8 apo 10 viteve, për këtë arsye edhe jemi ku jemi. 

E njëjta punë është edhe te kombëtarja e meshkujve, kjo gjeneratë e paktë që kemi, shumica e djemve që po vijnë po kanë ende vullnet dhe një ditë me siguri nuk do të vijnë, sepse ende është duke vazhduar federata me sa kam informata me pagesa minimale për ata djemtë që vijnë me luajt. 

Këto ishin vërejtjet e fundit, sa kam qenë në bord të FHK-së”, akuzon Abazi.

Sipas Abazit, vetëm Xhavit Morina është zgjedhur anëtar i bordit me vota, ndërsa të tjerët me vota të manipuluara. 

“Për fund, pa dashtë me fye askënd, bord me të varfër nuk ka pasur asnjëherë dhe jo më joprofesional. Të gjithë ata që janë zgjedhur në bord përveç Xhavit Morinës, janë të vetshpallur në mbledhjen e fundit të bordit të FHK-së. Të njëjtit janë zgjedhur sepse janë të dëgjueshëm përveç Xhavit Morinës që është i propozuar në kuvend sa kam dëgjuar dhe ka marrë vota, të gjithë të tjerët janë me vota të manipuluara, prandaj kështu nuk mundet me ecë para hendbolli.

Përfund duhet me iu rikujtuar se për katër vite mandat sa kam qenë anëtar bordi, janë harxhuar mbi 2 milionë euro në FHK. 
Mjete nga grantet qeveritare dhe nga të hyrat prej klubeve.  

Shumica e sponsorëve janë larguar nga hendbolli për shkak të keqmnaxhimit nga FHK, një nga donatorët që jam larguar edhe unë pas 21 viteve”, përfundon Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat