Kabashi: Trepça synon trofe në edicionin e ri dhe do të përgatitet për Evropë

Hendboll

Kabashi: Trepça synon trofe në edicionin e ri dhe do të përgatitet për Evropë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 qershor 2023 Në ora: 16:15
Taib Kabashi

Kupa e Kosovës në qytetin e sportit, në qytetin e hendbollit përkatësisht në Mitrovicë.

Puna e palodhshme e profesionale e kryetrajnerit Taib Kabashi, me presidentin e klubit Bujar Istrefi, me hendbollistë dhe me përkrahje të madhe nga tifozët “Torcida”, Trepça përmbylli në mënyrën më të mirë edicionin 2022-2023, duke fituar Kupën e Kosovës. 

Kjo ishte qershia mbi tortë. 

Image

KH Trepça

Një trofe i shumëpritur dhe pothuajse pas gati dy dekada rikthehet në vitrinat e klubit me renome.

Kabashi thotë se qysh në fillim kanë pasur ambicie që të janë në katër ekipet e para. 

“Kur startuam në edicionin e ri 2022-2023, synime tona ishin që të jemi në katër vendet e para të Superligës dhe në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. 

Synimet i kemi pas Kupën e Kosovës, sepse është më lehtë të arrihet deri aty, për shkak të sistemit të garave, pra me dy fitore. 

Ne e shfrytëzuam rastin, në gjysmëfinale e mundëm Prishtinën, në finale Besën.

Jemi tri ekipet më të mira: Trepça, Besa Famgas dhe Prishtina.

Kemi qenë të përgatitur mirë dhe formën e kemi programuar për ndeshjet e play – off-it dhe të Kupës.

Gjatë kampionatit ka pas kriza por ne e shfrytëzuam në gjysmëfinale, në një lojë të vështirë e mposhtëm Prishtinën, ndërsa finalja është 50 me 50 dhe me plot meritë e fituam Kupën e Ksovës”, thotë Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”

Kabashi e pranon se nuk ka qenë e lehtë të fitohet Kupa kur kihet parasysh se Besa ka ekip të mirë dhe buxhet shumë më të madh se ekipi i tij. 

“Besa është ekip më i fortë dhe ka buxhet tre - katër herë më shumë se ne. Në play - off lojën e parë e luajtëm ashtu siç planifikuam, luajtëm mirë në Pejë por nuancat vendosën lojën apo dy - tri raste.

Sepse synonim rezultatin në Pejë dhe në ndeshjen në Mitrovicë të japim maksimumin, por nuk e kemi pritur që të humbim finalen e dytë më lehtë seç pritej.

Në palestër ishte një numër rekord shikuesish, 2 mijë veta dhe duket se djemtë ranë në presion”, - ka nënvizuar Kabashi.

Trepça i ka synimet e qarta për edicionin e ri dhe po ashtu synon të paraqitet sa më mirë në garat evropiane.

“Krejt varet nga buxheti, jemi nga punojmë për me pas një buxhet më të mirë për edicionin 2023-2024.

Kemi përkrahje të madhe nga kuvendi komunal i Mitrovicës, sponsor kryesor dhe me përkrahjen e tyre kemi arritur deri këtu”, tha Kabashi.

Kryetrajneri mitrovicas pret një kampionat edhe me rivalizues në edicionin e ri:

“Edhe ekipet çdo vit po përforcohen.

Prej vendit të pestë e këndej, të gjithë ishin të fortë, Prishtina, Besa, Kastrioti, Vushtrria, Rahoveci, Vëllaznimi, Deçani etj. po dalin thuajse tetë ekipe të forta. 

Synimet për edicionin 2023-2024, gjithmonë janë për trofe, titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Ne do të shkojmë hap pas hapi, do të jemi në garat evropiane pasi që jemi edhe fitues të Kupës së Kosovës.

Në edicionin e ri do të sulmojmë edhe titullin e kampionit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat