KHF Istogu: Me 13 trofe të fituara, jemi ndër klubet më të suksesshme sportive në Kosovë

Hendboll

KHF Istogu: Me 13 trofe të fituara, jemi ndër klubet më të suksesshme sportive në Kosovë

Nga: K.G. Më: 18 maj 2025 Në ora: 14:56
KHF Istogu

Klubi i hendbollit Istogut ka arritur suksesin e madh në edicionin 2024-2025, duke fituar kurorën e dyfishtë, titullin dhe Kupën e Kosovës.

Klubi më i organizuar në vendin tonë tani mendjen e ka si të organizohet edhe më mirë për Kupat Evropiane.  

“KHF Istogu e përmbyll sezonin 2024/2025 me dy trofe: Titullin e Kampionit dhe Kupën e Kosovës!

KHF Istogu ka mbyllur në mënyrën më të mirë sezonin garues 2024/2025, duke fituar dy trofetë më të rëndësishëm në hendbollin kosovar për femra: Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit, për herë të katërt radhazi dhe të pestë në historinë e klubit.

Në ndeshjen e dytë finale të play-offit, e zhvilluar në palestrën simpatike në fshatin Samadrexhë, ekipi ynë triumfoi në një përballje me shumë emocion dhe adrenalinë, duke u kurorëzuar me titullin kampion.

Ky sezon, ndonëse i suksesshëm, ishte ndër më të vështirët për klubin tonë. 

Pjesa e parë e sezonit u karakterizua nga ndryshime të mëdha në përbërje – shumë prej lojtareve që për vite mbajtën barrën e skuadrës u transferuan në klube evropiane. 

Për më tepër, buxheti i përgjysmuar dhe vështirësitë infrastrukturore që na ndjekin prej vitesh, e bënë sfidën edhe më të madhe. 

Megjithatë, skuadra gjeti forcën për t’u konsoliduar dhe për të përfaqësuar denjësisht vendin në arenën evropiane, duke arritur deri në raundin e tretë të EHF Europa Cup.

Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe zemrën e madhe të hendbollisteve të Istogut që janë me meritoret për të gjitha këto sukssese, të cilat me fanatizëm ruajtën primatin e skuadrës të trofeshme të vendit tonë, duke e çuar emrin e klubit dhe qytetit të Istogut edhe në ranglistat evropiane.

Në këtë rrugëtim, falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në çfarëdo forme – sponsorët, institucionet lokale e qendérore, individë e bashpunyor, tifozet, mediat, palestrën private ku zhvilluam ndeshjet, e veçanërisht kompaninë Trofta, e cila qëndroi pranë skuadrës në momentet më të rëndësishme të sezonit.

Trofetë e fituar deri më tani nga KHF Istogu janë:

 • 5 tituj kampionë të Kosovës

 • 6 Kupa të Kosovës

 • 2 Superkupa të Kosovës

Me gjithsej 13 trofe të fituar, KHF Istogu është një ndër klubet më të suksesshme sportive në Kosovë.

Përgëzojm rivalët tanë në finalet e këtij edicioni: KHF Ferizaj në finalen e Kupës dhe KHF Samadrexha në finalet e play-offit. 

Angazhimi i tyre i dha kampionatit rivalitet dhe dinamikë të vërtetë sportive.

Ky sezon u kurorëzua me emocion të veçantë, duke u shpallur kampion për herë të parë në palestrën që mban emrin e heroit kombëtar Afrim Bunjaku. 

Skuadrës son i urojmë që në vitet e ardhshme të kemi fatin të ngremë trofe në të gjitha palestrat sportive të vendit.

Falënderojmë gjithashtu Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK) për bashkëpunimin dhe organizimin e garave.

Mirupafshim në sezonin 2025/2026”, shkruan në faqen e KHF Istogut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat