Cula e do titullin: Na pret një sfidë e madhe në Ferizaj

Hendboll

Cula e do titullin: Na pret një sfidë e madhe në Ferizaj

Më: 21 maj 2025 Në ora: 12:36
Leonard Cula

Te Rahoveci e çmojnë fitoren në ndeshjen e parë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.

Por, po ashtu janë të vetëdijshëm që gara është plotësisht e hapur dhe se asgjë nuk ka përfunduar.

Të dielën Rahoveci fitoi në shtëpi ndaj Kastriotit me rezultat 28:25.

Tani i duhet edhe një fitore për të mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Ndeshja e dytë finale është të enjten prej orës 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

“Jam i kënaqur me fitoren në ndeshjen e parë, por jemi të vetëdijshëm që asgjë nuk ka përfunduar ende. Na pret një sfidë e madhe në Ferizaj, kundër një ekipi cilësor si Kastrioti dhe në një palestër të mbushur me tifozë.

Po përgatitemi maksimalisht për të dhënë më të mirën.

Synojmë të mos i përsërisim disa gabime teknike në momentet vendimtare dhe kështu ta kërkojmë fitoren që do të na siguronte titullin”, ka thënë trajneri i “vreshtarëve”, Leonard Cula.

Ai ka besim të plotë në skuadrën që e drejton.

“E respektojmë kundërshtarin, por besoj në punën dhe përkushtimin e djemve tanë”, ka shtuar tekniku i Rahovecit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat