Kryetrajneri i klubit të hendbollit Istogu (femrat), Faruk Shala, ka ngritur alarmin me situatën që po kalon sporti i Kosovës, sidomos me peripecitë që kanë klubet e nuk guxojnë të flasin hapur, rasti i fundit është në Lipjan ku u rrezikua ndeshja evropiane që të luhet për shkak se pikonte çatia e palestrës.
“Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur një bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm me mediat, dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Mediat janë partnerë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për t’i dhënë shtysë zhvillimit të sportit në përgjithësi.
Por sot jam thellësisht i shqetësuar, i habitur dhe i zhgënjyer nga mënyra se sa pak vlerësohet sporti i dorës, apo sportet e palestrës në përgjithësi, në vendin tonë.
Pavarësisht sakrificave, rezultateve, vështirësive dhe përfaqësimit shtetëror me dinjitet, vjen një moment kur të gjithë heshtin: politikbërësit, mediat dhe institucionet.
Kam parë klube që nuk kanë guximin të flasin hapur për vështirësitë që përballen, sepse kanë frikë nga udhëheqësit, nga politikanët, nga ndëshkimi.
Kjo është një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese.
Ka një numër të madh palestrash të punuara keq, që nuk ofrojnë as kushtet më minimale për zhvillimin e sportit.
Ndërkohë, zgjedhjet lokale kanë “zaptuar” të gjitha palestrat, dhe sportistët janë duke u përballur me të njëjtat vështirësi me të cilat jemi përballur në vitet e ’80-ta, kur ishim të dëbuar nga objektet sportive nga okupatori. Atëherë reaguam, në gazeta, në media, e sensibilizuam opinionin publik.
Sot nuk kemi guxim të bëjmë as këtë. Kjo është e papranueshme, por ndihemi njejt si komunitet”, ka thënë Shala.
Kryetrajneri i kampiones dhe fitueses së Kupës së Kosovës, ndeshhet evropiane do t’i luajë jashtë Kosovës në mungesë të palestrës në Istog,
“Ekipi që unë udhëheq, KHF Istogu, është aktualisht në vendin e 59-të në renditjen evropiane, skuadra me rekordin më të lartë të rangimit nga të gjitha sportet kolektive në Kosovë.
Ne jemi të detyruar të zhvillojmë dy ndeshjet evropiane në një ishull afrikan nën administrimin e Portugalisë, të quajtur Madeira, sepse nuk kemi asnjë palestër të përshtatshme në vendin tonë ku të luajmë.
Jemi skuadra e vetme e Kosovës që luan në raundin e tretë të Kupës Evropiane, dhe çfarë ndodh? Asnjë mesazh përkrahjeje, asnjë përkujdesje, as ndihmë minimale, madje as një mbështetje morale. Këto janë gjëra që e rrënojnë sportin, e bëjnë të vështirë funksionimin e tij.
Përfaqësimi në gara evropiane nuk është vetëm sportiv, por është edhe përfaqësim i vlerave kombëtare dhe njerëzore të një populli dhe shteti. Dhe nëse kjo është mënyra se si ne e përfaqësojmë veten, atëherë është për të ardhur keq.
Më kujtohet një titull që ju i dhatë një artikulli: “Na pikon uji në palestër, ndërsa ne numërojmë vota nëpër to”.
Sot, në qytetin momentalisht më të suksesshëm në hendbollin e Kosovës, nuk kemi asnjë palestër funksionale.
Kjo nuk ka nevojë për koment.
Vetë kjo është një skandal në vete.
Dhe për në fund, nuk kemi më as kujt t’i qajmë hallin.
Borci i Ferizajt, sot i njohur si KH Kastrioti, është një vlerë kombëtare dhe shtetërore.
Të mbyllet palestra në ditën e ndeshjes së Kupës së Evropës për të numëruar vota, kjo është një super skandal!
Ndërkohë, në emisionet sportive na lodhin me nga dy orë debat për një penallti në një ndeshje të caktuar, sikur sporti tjetër të mos ekzistonte fare. Kjo është një turp i madh për sportin në përgjithësi.
Së bashku me sportin në palestër, po vdes dalëngadalë edhe gazetaria sportive, e cila çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një komercializëm, pa vlera, pa mision, pa përgjegjësi publike”, ka përfunduar Shala.