Kampionja në fuqi e Kosovës në hendboll, Istogu, vazhdon me ankesa në lidhje me palestrën sportive dhe me infrastrukturën sportivë që po ballafaqohet, ku është i detyruar në qytet tjetër të zhvillojë stërvitje dhe ndeshjet si vendase.
“Çdo zyrtar shtetëror, qoftë nga niveli qendror apo ai lokal, dhe çdo kush që flet për infrastrukturën sportive dhe mbështetjen e sportit në përgjithësi në Kosovë dhe në Istog, para se të flasë duhet të skuqet nga KHF Istogu, sepse Istogu është njëra ndër skuadrat sportive më të suksesshme në vendin tonë.
Gjatë 22 viteve të ekzistencës së saj, vetëm për 2 vite ka pasur palestër sportive; të gjitha vitet e tjera i ka kaluar si një ekip pa strehë.
Gjatë atyre dy viteve që kishte palestrën e saj, ishte model për gjithë Kosovën: në çdo ndeshje kishte mbi 1000 shikues, ndërsa në derbi palestra ishte e mbushur përplot.
Në ato dy vite kishte mbi 50 fëmijë në akademinë e saj.
Përkundër kësaj, ka arritur të fitojë mbi 20 trofe dhe të jetë ndër skuadrat më të mira në Evropë, duke kaluar çdo vit disa runde në kompeticione.
Me mbylljen e palestrës sportive, qyteti ynë humbi shumë: pasioni dhe dashuria për sportin dhe masovitetin.
KHF Istogu është skuadra që ka sakrifikuar më së shumti në sportin e Kosovës.
Të gjitha rezultatet e arritura, si në vend ashtu edhe ndërkombëtare, janë rezultat i një sakrifice në vehte.
Vlerësimi për këtë sakrificë është zero: sot, pas 22 viteve, klubi rrezikon të shuajë aktivitetin e vet për shkak të mungesës së infrastrukturës sportive. Angazhimi i institucioneve tona për përmirësimin e infrastrukturës sportive është zero.
Në fund, Istogu ka merita që të ketë një qendër kombëtare të hendbollit, por kjo pjesë është injoruar plotësisht”, reagon KHF Istogu.