Arbër Shala mbetet një figurë sportive që nuk harrohet kurrë.
Ai i takoi gjeneratës së sakrificës dhe të pasluftës, një portier i dalluar i hendbollit dhe kontribuues i madh në sportin e Kosovws.
Para shumë vitesh, Arbëri humbi jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni, duke shokuar opinionin sportiv dhe më gjerë.

Libri
Ikja e tij e hershme në amshim la një zbrazëti të madhe jo vetëm në hendboll, por në sportin e Kosovës në përgjithësi.
Megjithatë, vepra dhe kontributi i Arbër Shalës mbeten gjithmonë aktuale dhe nuk do të harrohen kurrë.
Bashkëshortja e tij, Zyrafete Shala, ka emocionuar me një shkrim prekës pas botimit të librit “Hendbolli gjatë viteve 1991–2000”, me autor prof. Ismet Jupa.
“Hendbolli gjatë viteve 1991-2000” që sapo doli nga shtypi, i shkruar nga ish-profesori im, Ismet R. Jupa, është një vepër me të cilën jam e lidhur në shumë mënyra, edhe pse në asnjë fazë të jetës sime nuk kam qenë e dhënë pas sportit.
Gjatë përgatitjes së këtij libri, unë pata përgjegjësinë të bëj lekturimin, ndërsa dizajni grafik është realizuar nga biri im, Drian. Është pra një angazhim i përbashkët familjar dhe profesional.
Por lidhja ime me të shkon edhe më thellë…
Në kopertinën e librit ndodhet bashkëshorti im, Dr. Arbër Shala, i cili për vite me radhë ishte portier hendbolli, e më pas edhe mjek i klubit "Kastrioti". Brenda librit, gjithashtu, gjenden foto dhe shkrime që e përmendin dhe e kujtojnë me nderim kontributin e tij në sport, por edhe kontributin e vajzës sime Anylës, si hendbolliste pioniere.
Përndryshe, përveç si kujtim i çmuar për mua, ky botim paraqet një dokumentim të vlefshëm të historikut të hendbollit në Kosovë gjatë një periudhe të veçantë dhe sfiduese, dhe njëkohësisht është dëshmi e përkushtimit të shumë individëve që dhanë kontribut në këtë sport.
Falënderoj profesor Ismet R. Jupën për besimin dhe përkushtimin, por edhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e këtij libri. Libri u shtyp në Shtypshkronjën "Shkrola"-Bardhosh:, ka shkruar Zyrafetja në profilin e saj në facebook.