Naxhije Ibrahimi kujton përballjen me Bayer Leverkusenin: Nuk e përjashtoj rikthimin si trajnere

Hendboll

Naxhije Ibrahimi kujton përballjen me Bayer Leverkusenin: Nuk e përjashtoj rikthimin si trajnere

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 20 janar 2026 Në ora: 14:36
Naxhije Ibrahimi

Naxhije Ibrahimi ka qenë njëra nga portieret më të mira të hendbollit të Kosovës në vitet e pasluftës. 

Ajo me sukses mbrojti ngjyrat e Trepçës, e më pas edhe të Vicianeve të Samadrexhës.

Me Vicianet, Ibrahimi u shpall kampione në edicionin 2005/06, ndërsa nga Federata e Hendbollit e Kosovës u shpall hendbollistja më e mirë e vitit 2004. 

Image

Vicianet 2005-2006, Naxhije Ibrahimi, e treta - djathtas 

Po ashtu, ajo ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës, ku ndër ndeshjet që i ka mbetur në kujtesë është përballja me Bayer Leverkusenin në garat evropiane gjatë vitit 2006.

Me pritje brilante, Naxhije Ibrahimi ishte motiv shtesë për gjeneratat e reja. 

Image

Ajo mbetet një emër me peshë në historinë e hendbollit tonë, e disiplinuar dhe e dalluar në fushë dhe jashtë saj.

Pas 20 vitesh, ish-portierja e njohur flet për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke mos e përjashtuar mundësinë e rikthimit në hendboll, këtë herë si trajnere.

“Bota sot”: Si i vlerësoni vitet e pasluftës së hendbollit të Kosovës?

Naxhije Ibrahimi: Vitet e pasluftës ishin të vështira, por shumë të çmuara. Hendbolli u rindërtua pothuajse nga zero, me shumë entuziazëm, sakrificë dhe dashuri për sportin.

Kushtet ishin modeste, por vullneti jashtëzakonisht i madh. Ato vite hodhën themelet e hendbollit që kemi sot.

“Bota sot”: Si reprezentuese e Kosovës, si e kujtoni atë periudhë?

Naxhije Ibrahimi: Me shumë emocione. Ishte nder i madh të mbroje ngjyrat e Kosovës në një kohë kur çdo paraqitje kishte peshë historike.

Përgjegjësia ishte e madhe, por krenaria edhe më e madhe.

“Bota sot”: Kampione me Vicianet – një gjeneratë e papërsëritshme?

Naxhije Ibrahimi: Pa dyshim. Ajo skuadër kishte shpirt, karakter dhe unitet. Ishim më shumë se bashkëlojtare – ishim familje.

Ajo gjeneratë la gjurmë dhe vështirë se do të përsëritet në të njëjtën formë.

“Bota sot”: A do të ktheheni në hendboll, por si trajnere?

Naxhije Ibrahimi: Nuk e përjashtoj. Hendbolli është pjesë e imja dhe nëse krijohen kushtet e duhura, do të doja ta përcjell përvojën time te brezat e rinj, sidomos te portieret e reja.

“Bota sot”: Ju mungon hendbolli?

Naxhije Ibrahimi: Shumë. Më mungon adrenalina e ndeshjeve, stërvitjet, atmosfera në zhveshtore dhe emocionet që vetëm sporti t’i jep.

“Bota sot”: Si e kujtoni përballjen me Bayer Leverkusenin?

Naxhije Ibrahimi: Ishte një përvojë e jashtëzakonshme.

Rezultati ishte i rëndë, por për ne ishte një mësim i madh.

U përballëm me një nivel shumë të lartë profesional dhe e kuptuam se ku qëndronim në raport me Evropën.

“Bota sot”: Ishte ndeshja e parë kundër një ekipi të madh evropian?

Naxhije Ibrahimi: Po, një nga të parat në atë nivel. Ishte sfidë e madhe, por edhe motivuese.

Na hapi sytë dhe na dha guxim për të synuar më shumë.

“Bota sot”: Ku gjendeni tani?

Naxhije Ibrahimi: Aktualisht në Mitrovicë, por jam e angazhuar jashtë hendbollit aktiv, por gjithmonë pranë sportit dhe me zemër aty. Hendbolli mbetet pjesë e identitetit tim.

“Bota sot”: Si e shihni Kombëtaren e Kosovës (femrat)?

Naxhije Ibrahimi: Është në rrugë të mirë.

Ka progres të dukshëm, sidomos në disiplinë dhe organizim. Ende ka hapësirë për rritje, por potenciali ekziston.

“Bota sot”: A ka Kosova talente në diasporë?

Naxhije Ibrahimi: Po, pa dyshim. Diaspora është një thesar i madh.

Ka vajza që stërviten në sisteme shumë profesionale dhe që mund t’i japin impuls të madh kombëtares.

“Bota sot”: A i duhet Mitrovicës një ekip i fortë i femrave?

Naxhije Ibrahimi: Patjetër. Mitrovica e meriton një ekip konkurrues.

Trepça ka traditë dhe rikthimi i saj do të ishte shumë i rëndësishëm për hendbollin e femrave në Kosovë.

“Bota sot”: A është koha që Naxhije Ibrahimi të marrë një ekip si trajnere?

Naxhije Ibrahimi: Ndoshta po. Nëse krijohen kushtet dhe ka besim nga klubi, do të ishte kënaqësi të punoja me kategoritë e reja.

“Bota sot”: A kemi talente dhe çka na mungon më shumë?

Naxhije Ibrahimi: Talente kemi, por na duhet më shumë organizim, durim dhe investim afatgjatë.

Trajnerë të përgatitur, kushte më të mira dhe mbështetje institucionale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat