Danimarka mposhti Islandën me rezultat 31:28 dhe siguroi një vend në finalen e Kampionatit Evropian të hendbollit.
Kampionët aktualë të botës, katër herë radhazi, do të synojnë medaljen e parë të artë evropiane që nga viti 2012, kur të përballen me Gjermaninë të dielën në orën 18:00.
Islanda do të luajë për medaljen e bronztë kundër Kroacisë, po atë ditë në orën 15:15.
Kujtojmë se Kroacia fitoi 30:29 në përballjen e parë mes këtyre dy skuadrave në këtë turne.
Mathias Gidsel e udhëhoqi Danimarkën drejt fitores me shtatë gola dhe gjashtë asistime, ndërsa “xhokeri” i ndeshjes ishte Johan Hansen me gjashtë gola.
Te Islanda më efikasi ishte Janus Daði Smárason me tetë gola, ndërsa Orri Freyr Þorkelsson shtoi shtatë.
Hendbollistët islandezë e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi 6:3 pas shtatë minutash lojë. Në atë periudhë, islandezët shfrytëzuan shkëlqyeshëm lojën me dy lojtarë më shumë, pas dy përjashtimeve radhazi të danezëve.
Megjithatë, Danimarka u konsolidua shpejt dhe me ndihmën e portierit Emil Nielsen, i cili priti dy gjuajtje nga shtatë metra, kaloi në epërsi 9:8.
Fundi i pjesës së parë ishte shumë interesant dhe i takoi Danimarkës, e cila shkoi në pushim me avantazh minimal 14:13.
Islanda e hapi pjesën e dytë me dy gola radhazi, pas së cilës loja vazhdoi gol pas goli. Danezët e thyen ndeshjen me tre gola radhazi mes minutës së 39-të dhe 42-të dhe nga aty nuk e lëshuan më epërsinë deri në fund.
Islanda nuk arriti të rikthehet në lojë dhe në më pak se 20 minutat e mbetura nuk iu afrua më shumë se dy gola diferencë. Ndeshja u karakterizua nga plot 19 gjuajtje nga shtatëmetërshi, numri i tretë më i lartë në historinë e Kampionateve Evropiane.
Më shumë janë shënuar vetëm në ndeshjet Slloveni–Çeki në Euro 2008 (21) dhe Serbi-Mali i Zi–Islanda në Euro 2006 (20).