Bum i hendbollit në Evropë! Fundjava finale thyen rekorde shikueshmërie

Hendboll

Bum i hendbollit në Evropë! Fundjava finale thyen rekorde shikueshmërie

Nga: K.G. Më: 5 shkurt 2026 Në ora: 12:25
Shikuesit

Fundjava finale e EHF EURO 2026 u kthye në një spektakël të vërtetë jo vetëm në parket, por edhe para ekraneve televizive. Miliona shikues në mbarë Evropën ndoqën ndeshjet për medalje, duke i bërë ato ndër më të ndjekurat në historinë e hendbollit.

Danimarka fitoi medaljen e artë pas një fitoreje bindëse ndaj Gjermanisë (34:27) në finalen e madhe në Herning, ndërsa Kroacia siguroi të bronztën pas triumfit dramatik ndaj Islandës (34:33).

Në Gjermani, transmetuesi publik ZDF raportoi 12.82 milionë shikues për finalen, me një kuotë tregu prej 50.8%. Këto janë shifrat më të larta të hendbollit në televizionin gjerman që nga EHF EURO 2016, kur 12.98 milionë persona ndoqën fitoren e Gjermanisë ndaj Spanjës në Poloni.

Edhe në Danimarkë u shënuan shifra mbresëlënëse. TV2 bëri të ditur se mbi 2 milionë danezë ndoqën minutat e fundit të finales, ndërsa mesatarja e shikueshmërisë ishte 1.77 milionë, me një pjesëmarrje rreth 85%.

Gjysmëfinalja Danimarkë–Islandë të premten arriti gjithashtu kulmin mbi 2 milionë shikues.

Ndeshja për medaljen e bronztë u ndoq nga 1.2 milionë shikues në Kroaci, përmes RTL, duke arritur një kuotë prej 60% në grupmoshën kryesore 18–59 vjeç.

Rekorde historike u thyen edhe në Islandë. Sipas RÚV, gjysmëfinalja Danimarkë - Islandë arriti një shikueshmëri mesatare 66.4% në rang kombëtar, më e larta ndonjëherë për një transmetim sportiv në vend.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga ndeshja e futbollit Islandë–Argjentinë (62.4%) në Botërorin 2018.

Kjo ndeshje tani ka rënë në vendin e katërt, pasi edhe takimet Kroaci–Islandë (63.1%) dhe Islandë–Slloveni (62.5%) në EHF EURO 2026 regjistruan shikueshmëri më të lartë.

Ndeshjet e drejtpërdrejta të EHF EURO 2026 për meshkuj u transmetuan në më shumë se 70 shtete, përfshirë edhe Maqedoninë, nëpërmjet MRT.

“Këto shifra janë absolutisht spektakolare dhe konfirmojnë rritjen e interesit për sportin tonë.

Kompeticionet e kombëtareve, si EHF EURO, kanë një ndikim të jashtëzakonshëm emocional.

Ato krijojnë unitet kombëtar dhe identitet – një kampionat i ndjekur nga miliona është baza perfekte për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të hendbollit në Europë”, thuhet në deklaratën e EHF-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat