Një mbrëmje e paharruar për yllin e Kosovës.
Hendbollisti i kombëtares, Olsi Mulaj, mbrëmë debutoi në fanellën e ekipit Istres Provence në javën e 17-të të kampionatit francez, një ndër ligat më të forta në botë.
Ai realizoi 2 gola nga 4 gjuajtje dhe u vlerësua për lojën e tij luftarake në parket. Megjithatë, skuadra e tij u mposht nga Montpellier me rezultat 33:28.
Montpellieri është në garë për titullin e kampionit të Francës, ndërsa Istresi lufton për mbijetesë në elitë.
Për gazetën “Bota sot”, Mulaj e përshkroi debutimin si një moment shumë emocional në karrierën e tij.
“Ishte një moment shumë emocional për mua, sepse debutimi në Francë ka qenë një objektiv i madh në karrierën time.
Në fillim ndjeva pak emocion, por sapo filloi ndeshja u përqendrova vetëm te loja dhe te ndihma për ekipin”, tha Mulaj.
Hendbollist është krenar që realizoi edhe dy gola:
“Jam shumë i lumtur që arrita të realizoj dy gola dhe që performanca ime u vlerësua pozitivisht”.
Hendbollisti ynë është i bindur se Istresi ka potencial të madh për të siguruar ekzistencën, duke thënë:
“Mendoj se Istres ka shumë potencial. Jemi një grup që punon fort çdo ditë dhe po rritemi ndeshje pas ndeshjeje.
Rezultatet do të vijnë nëse vazhdojmë me këtë disiplinë dhe besim”
Sa i përket ndeshjet me rivalin, shprehet se ishte shumë e vështirë kur kihet parasysh se ata luftojnë për kreun e tabelës.
“Sa i përket ndeshjes ndaj Montpellier, për ne ishte shumë e rëndësishme të tregojmë karakter kundër një skuadre që lufton për kreun e tabelës.
Paraqitja na jep besim se mund të konkurrojmë me çdo ekip në kampionat dhe të synojmë objektivat tona këtë sezon”,- ka përfunduar Mulaj.