Kosova nën presionin e finlandezeve, Bytyqi: Një fitore do të na jepte një mundësi shtesë

Hendboll

Kosova nën presionin e finlandezeve, Bytyqi: Një fitore do të na jepte një mundësi shtesë

Më: 3 mars 2026 Në ora: 15:48
Mirjeta Bytyqi

Kapitenia e Kombëtares së Kosovës në hendboll, Mirjeta Bytyqi, po shikon para me optimizëm për ndeshjet me Finlandën.

Ndeshja e parë është të enjten prej orës 17:30 në Vantaa të Finlandës, kurse e kthimit të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ndeshjet i takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kampionat Evropian.

Për ndeshjet: “Na presin dy ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme kundër Finlandës dhe jemi plotësisht të vetëdijshme për rëndësinë e tyre.

Një fitore do të na jepte një mundësi shtesë dhe do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, prandaj e dimë sa shumë vlen çdo moment në fushë”, ka thënë Mirjeta Bytyqi.

Për atmosferën dhe ndryshimet në ekip:

“Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë.

Edhe pse përbërja e skuadrës ka pësuar ndryshime të konsiderueshme, lojtaret e reja janë jashtëzakonisht të motivuara për t’u dëshmuar dhe punojnë me përkushtim maksimal. Energjia dhe uniteti që po ndërtojmë dita-ditës na japin vetëbesim shtesë”.

Për forcën e Kosovës:

“E dimë që Finlanda është kundërshtare serioze dhe fizikisht shumë e fortë, por besojmë në forcën tonë si kolektiv. Do të japim maksimumin në fushë, do të luftojmë për çdo top dhe hyjmë në ndeshje me besim të madh, duke synuar fitoren”.

Për rëndësinë e përkrahjes nga shikuesit:

“Veçanërisht në ndeshjen në Prishtinë, përkrahja e tifozëve do të jetë një shtysë e madhe për ne. Prandaj ju ftojmë të vini në numër sa më të madh dhe të na mbështesni”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat