Në turneun final të Kupës paraqiten edhe hendbollistet e Ferizajt.
Madje skuadra ferizajase luan në shtëpinë e saj, palestrën “Bill Clinton”, dhe mund ta ketë përkrahjen e shikuesve.
Ferizaj në gjysmëfinale përballet me Samadrexhën, të shtunën nga ora 18:00.
Njëra prej lojtareve kryesore të Ferizajt, Lorena Matarova, është optimiste për garë të suksesshme.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe motivimi është i lartë. Sigurisht që synimi ynë është ta sjellim, përkatësisht ta mbajmë trofeun në Ferizaj. Kemi punuar shumë gjatë gjithë sezonit dhe besoj që kemi cilësinë për të konkurruar me çdo ekip në Final4”, ka thënë Matarova.
Reprezentuesja e Kosovës beson në lojën kolektive të Ferizajt.
“Forca jonë është loja kolektive dhe uniteti. Do të jetë shumë i rëndësishëm përqendrimi maksimal, por edhe disiplina dhe menaxhimi i momenteve kyçe të lojës. Detajet shpesh vendosin ndeshje të tilla, prandaj duhet të jemi të kujdesshme nga fillimi deri në fund”, ka theksuar Matarova.
Ferizaj e ka fituar Kupën e Kosovës në vitin 2024.