Kampioni i edicionit të kaluar, Rahoveci, nuk shfaqi atë që pritej në finalen e parë të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Por “vreshtarët” synojnë të reagojnë në finalen e dytë, të cilën e zhvillojnë në Rahovec.
Ndeshja e dytë finale e plejofit mes Rahovecit dhe Kastriotit të Ferizajt zhvillohet të shtunën prej orës 20:00 në palestrën “Mizahir Isma”.
Kastrioti fitoi të mërkurën në Ferizaj me rezultatin 37:31, pasi udhëhoqi bindshëm thuajse gjithë ndeshjen.
Derisa rahovecasit kanë plane për të barazuar në 1:1 rezultatin e serisë finale, ferizajasit udhëtojnë për hap të madh drejt titullit. Në rast të fitores, Kastrioti do të mund ta festonte titullin mesjavën e ardhshme para shikuesve të tij në “Bill Clinton”.
Ekipi që shënon tri fitore, shpallet kampion.
Shpresohet që finalja e dytë të grumbullojë numër të madh shikuesish në arenën në Rahoveci.