Samadrexha është kampione e Kosovës për edicionin 2025-2026.
Klubi i hendbollit Samadrexha ka shpreh keqardhje për incidentin e mbrëmshëm në përballjen me Shqiponjën e Gjakovës, në kuadër të finales së pestë të Kampionatit të Kosovës në hendboll.
“KHF Samadrexha shpreh keqardhjen e sinqertë për incidentin e ndodhur jashtë palestrës pas ndeshjes finale të Kupës së Kosovës ndërmjet KHF Samadrexhës dhe KH Shqiponjës, e cila përfundoi me rezultat 25:23 në favor të ekipit tonë.
Si klub, dënojmë çdo formë dhune dhe sjelljeje që bie ndesh me vlerat sportive.
Ngjarja ka ndodhur jashtë palestrës dhe nuk kemi njohuri për arsyet, personat apo rrethanat që kanë çuar deri te ajo përplasje. Megjithatë, ndjejmë keqardhje për atë që ka ndodhur dhe urojmë që raste të tilla të mos përsëriten më kurrë në sportin tonë.
Për organizimin dhe sigurinë e ndeshjes, KHF Samadrexha kishte angazhuar Policinë dhe sigurimin privat.
Brenda palestrës nuk ka pasur sharje apo fyerje. I vetmi moment i veçantë ka qenë ndezja e disa fishekzjarrëve nga disa të rinj, pa ndonjë qëllim të keq dhe pa incidente të tjera.
Shfrytëzojmë rastin ta falënderojmë KH Shqiponjën për lojën e fortë, korrektësinë dhe kulturën sportive të treguar gjatë ndeshjes. Po ashtu, falënderojmë lojtarët, stafin dhe tifozët e të dyja ekipeve që kontribuuan në një atmosferë sportive në palestër.
KHF Samadrexha është një klub me traditë që nga viti 1974, me histori, kulturë sportive dhe shumë emra të njohur që kanë bartur fanellën e këtij klubi. Ne do të vazhdojmë të promovojmë respektin, sportivitetin dhe vlerat që e kanë karakterizuar Samadrexhën ndër vite.
Në fund, dëshirojmë të mos lejojmë që një incident i izoluar t’ia zbehë vlerën një finaleje të bukur dhe një sezoni të jashtëzakonshëm sportiv.
Historia mbetet:
Fitues i Kupës së Kosovës
Kampion i Kosovës”, ka reaguar Samadrexha.