Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton buxhetin 2021-2023

Kosova

Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton buxhetin 2021-2023

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 18:45
Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton buxhetin 2021-2023

Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur sot vazhdimin e seancës së nëntë të rregullt përmes platformës online “ZOOM” për shkak të situatës me COVID-19, ku temë e vetme e rendit të ditës ishte draft-buxheti për vitet 2021-2023.

Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari Qëndron Kastrati, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Albert Sermaxhaj, dhe 14 delegatë të cilët mundësuan kuorumin për mbajtjen e seancës.

Pas diskutimeve nga disa delegatë, draft-buxheti për 2021-2023 u votua me 14 vota pro nga të gjithë delegatët e pranishëm.

Kryetari Kastrati me këtë rast ka thënë se buxheti për investime kapitale për herë të parë ka arritur 13 fish më shumë sesa në vitin 2017.

“Për herë të parë në Kamenicë arritëm që buxhetin për investime kapitale ta çojmë në 1.6 milionë euro ose 13 fish më shumë sesa që e kemi gjetur këtë buxhet në vlerë 124 mijë euro në vitin 2017. Me buxhetin e miratuar sot po na hapen rrugët që kërkesave bazike të qytetarëve t’u përgjigjemi pozitivisht. Tek e fundit, çdo gjë bëhet për ta. Pos kësaj, buxheti i dedikuar për investime kapitale do të jetë rreth 2 milionë euro, duke ia shtuar edhe grantin e fituar në kuadër të performancës së mirë komunale për 2019”, ka thënë ai.

Ndër të tjera kryetari Kastrati ka falënderuar asamblistët të cilët me votën e tyre për vendosën për mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës.

“Zhvillimin e një komune të vogël siç është Kamenica, duhet ta kemi prioritet të gjithë, pa dallim, pavarësisht se disa asamblistë që thirren për interesa të popullit, prapë zgjodhën interesat politike sesa nevojat e qytetarëve. Sidoqoftë, unë i falënderoj të gjithë asamblistët që pavarësisht presioneve që u janë shkaktuar, ata vendosën për mirëqenien e banorëve të Kamenicës”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat