Ndërmarrja publike “Trepça” Sh.A. ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të katër punonjësve të Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të disiplinës në punë.
Sipas njoftimit të publikuar nga “Trepça” Sh.A., vendimi është nxjerrë më 18 nëntor 2026 nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes.
Të përfshirë në këtë vendim janë punonjësit me inicialet I. B., M. S., M. Sh. dhe P. M., të gjithë të angazhuar në Njësinë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas konstatimit të disa shkeljeve të rënda gjatë ndërrimit të tretë.
“Shkeljet përfshijnë fjetjen në vendin e punës, raportimin e pasaktë të gjendjes së punonjësve dhe moskryerjen e detyrave mbikëqyrëse”, thuhet në njoftimin e Trepçës.
Tutje, ndërmarrja ka bërë të ditur se çështja i është përcjellë Komisionit Disiplinor për shqyrtim dhe vendimmarrje, në përputhje me rregulloret në fuqi të kompanisë.
“Trepça Sh.A. vazhdon të zbatojë me përgjegjësi parimet e disiplinës, transparencës dhe llogaridhënies në punë”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes.