Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka pritur në takim zëvendësministrin e parë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Enver Dugolli, të cilit i ka uruar suksese në detyrën e re.
Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë, zhvillimet në komunën e Shtimes dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ai ka bërë të ditur se nga zëvendësministri Dugolli ka pranuar edhe një dhuratë, librin e tij të ri me titull “Për Kosovën Republikë”.
Kryetari i Shtimes e ka falënderuar Dugollin për librin, duke e vlerësuar atë si një vepër me rëndësi historike dhe kombëtare.
Sipas Aliut, përmes rrëfimeve dhe dëshmive autentike, libri sjell në vëmendje një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe sakrificën e brezave për liri, dinjitet dhe Republikën e Kosovës.
Në fund, Aliu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë institucional dhe ruajtjes së kujtesës historike, duke i cilësuar ato si vlera që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më të vetëdijshme për rrugëtimin e saj.