Alarm për fruthin në Kosovë, 336 raste të konfirmuara – 37 vetëm gjatë javës së fundit

Kosova

Alarm për fruthin në Kosovë, 336 raste të konfirmuara – 37 vetëm gjatë javës së fundit

Nga: A.SH Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 18:09
Fotoilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke ngritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 15 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 336 raste me fruth, ndërsa 37 prej tyre janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Rastet janë evidentuar në 24 komuna të Kosovës dhe shumica e të prekurve janë fëmijë, përcjell Bota sot.

IKShPK ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e personave të infektuar janë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.

Ndërkohë, gjatë këtij viti, përmes vaksinimit plotësues janë vaksinuar mbi 4.120 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të kontaktojnë ekipet shëndetësore në rast se kanë mbetur pa marrë ndonjërën nga dozat e parapara.

IKShPK ka rekomanduar gjithashtu kujdes të shtuar për fëmijët nën moshën 12 muajshe, të cilët ende nuk janë vaksinuar, duke këshilluar shmangien e ambienteve të mbyllura dhe të mbipopulluara.

Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat