Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka uruar akademikun Fejzullah Krasniqi për zgjedhjen në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj e ka cilësuar këtë zgjedhje si një përgjegjësi të lartë dhe vlerësim për rrugëtimin e tij akademik e shkencor.
Ai ka theksuar se Krasniqi është një nga figurat më të shquara që ka nxjerrë Kamenica, duke vlerësuar kontributin e tij në shkencë dhe në arsimin universitar.
Rahimaj ka rikujtuar edhe faktin se akademiku Krasniqi së fundmi është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Kamenicës.
“Jam veçanërisht krenar që një personalitet i tillë, të cilin së fundmi e nderuam me titullin ‘Qytetar Nderi’ i Kamenicës, tashmë do ta udhëheqë institucionin më të lartë shkencor e akademik të vendit”, ka shkruar Rahimaj.
Në fund, ai i ka uruar suksese në përgjegjësinë e re, duke theksuar se përvoja dhe përkushtimi i tij do të jenë në shërbim të zhvillimit të dijes dhe shkencës në Kosovë.
“Kamenica krenohet me ju, Akademik. Urime e sukses”, ka përfunduar Rahimaj.