​OVL e UÇK-së në Malishevë shënoi Ditën e Veteranit

Kosova

​OVL e UÇK-së në Malishevë shënoi Ditën e Veteranit

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 15:21
​OVL e UÇK-së në Malishevë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Malishevë, sot e ka shënuar 30 Dhjetorin-Ditën e Veteranit.

Fillimisht janë bërë nderime pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në sheshin e qytetit, e më pas janë bërë homazhe pranë varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Malishevë dhe janë ndarë mirënjohje për veteranë e luftës, si dhe për 12 veteranë pas vdekjes, të cilët në rrethana të ndryshme kanë vdekur gjatë këtij viti.

Në këto shënime, morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu dhe veteran të shumtë.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha tha se Ditën e Veteranit po e shënojnë në kushte specifike, për shkak të goditjeve të rënda kundër luftës dhe krerëve të UÇK-së nga Specialja.

“Ne kemi luftuar për çlirim dhe për liri, dhe nuk jemi organizatë kriminale, prandaj tek të gjithë ne shihet mllefi në raport me këto goditje. Gjeneratat e reja, duhet ta mësojnë historinë e formimit të UÇK-së, të luftës për liri dhe për ndërtimin e shtetit. Në emër timin personal dhe në emër të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ju uroj Ditën e Veteranit të gjithë veteranëve të luftës”, ka thënë ai.

Faton Klinaku, në emër të OVL të UÇK-së, tha se këtë ditë po e shënojnë pa krerët e UÇK-së të cilët janë aktualisht në Hagë, por që nga këto goditje do të dalin edhe më të fortë dhe krerët e luftës do të mbrojnë luftën e pastër dhe luftën për liri të UÇK-së.

Ndërsa kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, tha se këtë vit 12 veteranë të luftës nga Malishevës gjatë këtij viti kanë vdekur. Ai i ka uruar të gjithë bashkëluftëtarët dhe të gjitha familjet e dëshmorëve, me rastin e 30 Dhjetorit-Ditës së Veteranëve të luftës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat