“Epoka e qyteteve të betonizuara duhet të marrë fund”, Pacolli prezanton vizionin në COP31

Kosova

“Epoka e qyteteve të betonizuara duhet të marrë fund”, Pacolli prezanton vizionin në COP31

Nga: A.M. Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 21:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka prezantuar në konferencën COP31 vizionin për zhvillimin e Kosovës deri në vitin 2050, duke vënë theksin te planifikimi i qyteteve, rezilienca urbane dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje.

Përmes një njoftimi, Pacolli ka bërë të ditur se prezantimi i saj është përqendruar në nevojën për një qasje të re ndaj zhvillimit urban, duke theksuar se qytetet duhet të planifikohen dhe ndërtohen në mënyrë që t’u shërbejnë më mirë banorëve dhe të përballojnë sfidat e ndryshme.

Ajo ka kritikuar modelin e deritanishëm të zhvillimit të qyteteve, të cilin e ka përshkruar si një qasje që ka krijuar hapësira të betonizuara, pa marrë mjaftueshëm parasysh jetën dhe nevojat e qytetarëve, transmeton "Bota sot".

Sipas Pacollit, përmes Vizionit 2050 synohet të ndërtohet një model i ri zhvillimi, i bazuar në fuqizimin e të rinjve, inovacionin e gjelbër dhe reziliencën urbane.

Ministrja ka theksuar se qytetarët duhet të kenë rol të drejtpërdrejtë në vendimet që lidhen me lagjet, fshatrat dhe qytetet e tyre. Ajo ka thënë se roli i Ministrisë duhet të jetë dëgjimi i komuniteteve dhe krijimi i kushteve ligjore e financiare për realizimin e ideve të tyre.

Një pjesë të veçantë të prezantimit, Pacolli ia ka kushtuar përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në hartimin e politikave publike. Sipas saj, përmes platformave të bashkëkrijimit, synohet që gjeneratat e reja të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjidhjet urbane dhe ndërmarrësinë e gjelbër.

“Ky është demokratizimi i vërtetë i hapësirës publike që prezantuam para botës”, ka shkruar Pacolli, duke shtuar se synimi është një Kosovë ku secili qytetar e ndien qytetin dhe fshatin si hapësirë të përbashkët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat