Kosova shënon 22 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe

Kosova

Kosova shënon 22 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe

Më: 24 mars 2021 Në ora: 05:51
Arkiv

Njëzet e dy vjet më parë, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Clinton, tha se misioni i NATO-s synon të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë.

"Forcat serbe po shkojnë nga fshati në fshat duke bombarduar civilët dhe duke djegur shtëpitë e tyre. Kemi parë njerëz të pafajshëm që janë nxjerrë nga shtëpitë, janë detyruar të ulen në gjunjë dhe janë qëlluar me breshëri plumbash. Burrat ne Kosovë janë ndarë nga familjet, etër dhe bij janë vënë në radhë dhe janë vrarë me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ky është një sulm me tanke e artileri mbi njerëzit e pambrojtur udhëheqësit e të cilëve tashmë janë pajtuar për paqen", tha presidenti Clinton.

 Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.

Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat