Për një javë, vetëm tremijë mjekë të vaksinuar

Kosova

Për një javë, vetëm tremijë mjekë të vaksinuar

Më: 7 prill 2021 Në ora: 00:26
Foto ilustruese

Tashmë është bërë një javë prej kur ka filluar fushata e imunizimit në Kosovë, e ku prioritet patën punonjësit shëndetësorë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri me tani janë vaksinuar afër tremijë punonjës të këtij sektori.

Në lidhje më këtë numër që është konsideruar i ulët i të vaksinuarve, foli Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

Ai u shpreh se fillimisht duhet të sqarohen disa gjëra rreth kritereve që nevojiten për vaksinim dhe se për këtë presin përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Është numër më i vogël që kemi pritur i të vaksinuarve, por mendoj qe mund të jetë se afër 40% që tashmë e kane kaluar COVID-in”.

“Çështja tjetër është se organizimi në nivel të institucioneve ka qenë i dobët, se drejtorët e klinikave nuk kane qenë të kyçur. Niveli primar ka qenë i organizuar, ndërsa të tjerët jo. Por së fundmi kishim vaksinim individual, pra shkuarja individuale e mjekëve për t’u vaksinuar”.

“Pastaj duhet të sqarohet se pas sa kohe të negativizimit të atyre që kanë qenë të infektuar me COVID-19 mund të vaksinohen dhe sa është i ndërlidhur vaksinimi me antitrupat që i kemi, pra a duhet të vaksinohen të gjithë ata që p.sh e kanë një numër mbi 50 të antitrupave, të cilën kualifikohen edhe për dhënien e plazmës së gjakut për t’u dalë në ndihmë pacientëve në nevojë, të infektuarve”.

“Janë disa çështje që duhet të sqarohen dhe ne sot i jemi drejtuar edhe me shkrim Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së që të jepen instruksionet në këtë drejtim, dhe kjo do ndihmojë edhe popullatën”.

Sipas Sejdiut, masat antiCOVID është dashur të merren qysh në dhjetor dhe se sektorët e goditur nga to duhet të kuptojnë se kjo do të duhej të ndodhte, por se është dora e Qeverisë tani që duhet t’i vijë në ndihmë këtyre sektorëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat