Nis vaksinimi i personelit mjekësor në Klinë

Kosova

Nis vaksinimi i personelit mjekësor në Klinë

Më: 8 prill 2021 Në ora: 18:05
Klinë

Në njësinë e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë” në Klinë ka nisur të enjten vaksinimi kundër virusit Covid-19 i punëtorëve shëndetësorë të qendrave mjekësore të shëndetit primar.

“Në fillim do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë të sektorit publik, pastaj edhe sektorit privat. Në bazë të udhëzimeve dhe furnizimit me vaksina nga IKSHPK-ja do te fillojmë me vaksinimin e qytetarëve mbi moshën 80 vjeçare, e pastaj ata me sëmundje kronike”, ka thënë drejtori i QKMF-së, Anton Shllaku.

Për vaksinimin e këtij personeli njësia e vaksinimit ka pranuar vetëm 100 vaksina. Sipas infektologut në QKMF në Klinë, Haxhi Ibishi, ky numër i dozave të vaksinave është i pakët për gjithë stafin e QKMF-së dhe ambulancave në këtë komunë.

“Është numër i vogël i vaksinave që na kanë dhënë IKSHP-ja. Në listë zyrtare janë 136 punëtorë shëndetësorë dhe 30 tjerë të stafit mbështetës. Por instituti na ka thënë se në ditët në vijim mundemi në çdo kohë të shkojmë e të marrim vaksina në Prishtinë për stafin e QKMF-së”, është shprehur Ibishi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat