​“E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, dokumentohen historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale

Kosova

​“E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, dokumentohen historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale

Më: 14 prill 2021 Në ora: 13:17
Pamje nga vendi i ngjarjes

“E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, dokumentohen historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale

Më shumë se dy dekada pas luftës, është vështirë ende të dokumentohen krimet e luftës, e në veçanti të atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale. Madje, për një gjë të tillë nuk ka pasur as iniciativë institucionale, megjithatë ende gratë e burrat hezitojnë të flasin si shkak i stigmës ndaj tyre. QKRMT ka publikuar sot raportin “E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, ku janë dokumentuar historitë e më shumë se 340 të mbijetuarve. 22 për qind prej tyre kanë treguar se dhunimi ka ndodhur në shtëpinë e tyre, 13 nga gratë kanë mbetur shtatzënë. Ndërsa, vetëm 13 kanë paraqitur rastet në institucione të drejtësisë.

Viktimave të cilat pjesë e dokumentimit të historisë së tyre në këtë raport, deri më tani statusi iu është njohur vetëm 194 personave, 61 raste janë në pritje, ndërsa 28 rasteve u është refuzuar statusi.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti ka theksuar se kjo është një iniciativë për të vën gur- themelin për dëshminë e një të vërtete zyrtare.

Sipas saj, historia e re nuk mund të shkruhet pa prezencën e zërave të heshtur tash e më shumë se dy dekada.

Rushiti: Kosova ende ka vështirësi në adresimin e krimeve të luftës

“Dy dekada pas luftës, Kosova ende ka vështirësi në adresimin e krimeve të luftës. Pra, ka munguar një dokumentim i mirëfilltë i krimeve të luftës, e në veçanti krimeve të dhunës seksuale të luftës. Prandaj, QKRMT në bashkëpunim me organizata e licencuara që kemi prezent këtu, ka filluar iniciativën e dokumentimit të këtyre krimeve, në kuadër të projektit zviceran “Rritja e angazhimit për drejtësi tranzicionale në Kosovë”. Duke i dhënë një rëndësi të veçantë krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Në mungesë të një iniciative në nivel nacional, qoftë në institucioneve kosovare por edhe mekanizmave ndërkombëtarë, e kemi parë më se të nevojshme që qendra jonë në bashkëpunim me qendrat tona të fillojmë këtë iniciativë”, ka thënë ajo.

Rushiti ka shtuar se shumë gra dhe burra të cilët përjetuan këtë krim, më nuk jetojnë edhe për shkak të vuajtjeve dhe sëmundjeve të shumta.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovës, Thomas Kolly tha se të mbijetuarat po përjetojnë padrejtësi të dyfishtë, meqë ende po përballen me stigmatizim edhe nga familja e ngushtë.

Kolly: Ligji aktual nuk është i kompletuar

“Statusi i të gjitha të mbijetuarve viktimave nga dhuna seksuale duhet të njihet. Ligji aktual nuk është i kompletuar, për arsye se mbulon vetëm një periudhë të kufizuar kohore. Ky ligj duhet të amandamentohet që të gjithë viktimat, pavarësisht momentit të krimit, të kenë mundësi të aplikojnë për atë se çfarë atyre ju takon. Përballja e tij me të vërtetën dhe stigmatizimit është ekstrem e vështirë, por mënyra e vetme që të arrihet të shërohet plaga. Ky proces i shërimit të plagës duhet të jetë një bazë solide”, ka theksuar ai.

Në ditën kur ajo po kujton se çfarë i ndodhi 22 vjet më parë, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila rrëfeu tmerrin e përjetuar si 16 vjeçare tha se 14 prilli i vitit ’99 ia ka ndryshuar jetën.

Krasniqi-Goodman: Ai rast mua ma prishi jetën

“Kjo ditë dhe datë më kthen prapa mua se ka qenë para 22 vitesh për mua ndodhi krimi dhe tmerri më i madh që më ndodhi në jetë. Më dërrmoi, mi shuajti ëndrrat, ma prishi jetën. Me këtë raport unë ndihna shumë mirë, që me të vërtetë të dokumentohen se janë shumë viktima kanë pasur mundësi të raportojnë edhe krimet. Unë jam ajo që kam dokumentuar ditën e nesërme, shpresoj që edhe viktimat tjera të raportojnë rastet që i kanë. Është e vështirë që të raportohen raste, kur dihet që drejtësia u ka munguar të gjithëve. Nuk kemi asnjë kriminel të dënuar për krimet që kanë bërë për viktimat e dhunës seksuale. Kjo i bën viktimat që të heshtin”, theksoi ajo.

Menaxherja e projektit, Fatmire Haliti tha se në këtë raport ka theksuar se janë të dokumentuara historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale. Ku 45 për qind prej tyre janë raste të moshës 18 deri në 28 vjeç, ndërsa 32 për qind nga 29 deri në 39 vjeçare. E viktimat më të reja janë ato të moshës 9 vjeçare.

Muaji mars, prill dhe maj janë me më së shumti raste të dhunimeve.

Vetëm 13 raste kanë kërkuar hetimin e rastit, dy raste janë ngritur aktakuzat, ndërsa 8 nuk dihet se çfarë ka ndodhur.

Haliti: 22 për qind e dhunimeve kanë ndodhur në shtëpinë e tyre

“48 për qind të rasteve kanë ndodhur në shtëpinë ku kanë qenë të vendosura viktimat, ndërsa 22 për qind kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, në shtëpinë e saj. 9 për qind në ambiente të hapura, në stacione policore, në rrugë. Ajo që është më e rëndësishmja është tek këto rastet që kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, apo në 48 për qind që kanë ndodhur në shtëpinë ku viktimat kanë qenë të strehuara . Janë rastet ku zakonisht popullata ka qenë e zhvendosur nga një shtëpi në shtëpinë tjetër. Në këto raste zakonisht dhunimet kanë qenë grupore, ku dhunuesit kanë hyrë në shtëpitë ku kanë qenë të vendosur fëmijët apo gratë”, tregon Haliti.

Për rastet ku dhunimet kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, Haliti tha se të njëjtat e kanë shumë të vështirë sepse shumica nuk e kanë ndërruar vendbanimin.

57 për qind e këtyre rasteve janë dhunime individuale, ndërsa 42 për qind dhunime në grup. Ndërsa, në 75 për qind ngjarjes së dokumentuar ka pasur dëshmitarë të dhunimit.

Haliti: 13 viktima kanë mbetur shtatzënë

“Të mbijetuarat e deklaruara kanë treguar që 13 prej tyre kanë mbetur shtatzënë si pasojë e dhunimit. Prej 13 rasteve, në 11 raste viktimat e kanë abortuar qëllimshëm foshnjën, ndërsa vetëm 1 ka ofruar përkujdesje ndaj fëmiut. Një rast tjetër ka deklaruar që përkundër që ka pasur vullnet të mbajë fëmijën, e njëjta ka pasur abort spontan dhe fatkeqësisht e ka humbur fëmijën”, ka shtuar Haliti.

Në raportin e publikuar tregon edhe për numrin e atyre që kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë.

Haliti: Për tri raste kanë filluar hetimet

“Kemi vetëm 4 për qind e tyre që kanë deklaruar që kanë kërkuar hetim të rastit, përkatësisht e kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë. Prej tyre, janë 13 raste me numër, ndërsa me përqindje ishte 4 që kanë kërkuar hetimin e rasteve. Për tri raste kanë filluar hetimet, për dy raste është ngritur aktakuza, ndërsa tetë raste nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur me rastet e tyre përkundër që kanë deklaruar në institucionet e drejtësisë”, ka theksuar ajo.

86 për qind e rasteve kanë treguar se kryerësit nuk i kanë parë më herët, 9 për qind e tyre i njohin sepse kanë qenë persona me emër në atë komunitet. Ndërsa 5 për qind të pa identifikueshëm, pasi që kanë qenë të maskuar në fytyrë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat