​Ambasada e Kosovës në SHBA kujton veprimtarin Ukshin Hoti

Kosova

​Ambasada e Kosovës në SHBA kujton veprimtarin Ukshin Hoti

Më: 16 maj 2021 Në ora: 19:20
Ukshin Hoti

Ambasada e Kosovës në Uashington ka kujtuar sot Ukshin Hotin, figurën e shquar të kombit tonë, në 22-vjetorin e zhdukjes së tij.

Duke u shkolluar në mes tjerash edhe në SHBA, ai dha kontribut të pazëvendësueshëm për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Që nga 16 maji 1999 familja dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë në pritje për të mësuar për fatin e tij! Pas vuajtjes 5 vjeçare të dënimit për aktivitetin e tij politik, Ukshin Hoti duhej të lirohej me 16 maj 1999 nga burgjet e Serbisë. Kanë kaluar 22 vjet dhe ne vazhdojmë të presim, thuhet në një postim në Facebook.

Për më tepër, Ambasada e Kosovës në Uashington thekson se Ukshin Hoti është dhe do të mbetet përgjithmonë frymëzim dhe model, posaçërisht për ata që merren me punë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare si dhe të gjithë përfaqësuesit e shtetit tonë!

Ndryshe, gjatë ditës edhe Qendra “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur”, në 22 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, ka theksuar se përgjegjësia për zhdukjen e tij bie mbi shtetin serb i cili ato ditë ishte duke zbatuar planin e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Kjo qendër rikujton se sot u bënë 22 vjet që kur intelektuali i shquar Ukshin Hoti u liria nga burgu në të cilin po mbahej padrejtësisht nga shteti serb.

“As sot e kësaj dite, nuk është marrë në përgjegjësi asnjë pjesëtar i forcave serbe për zhdukjen e Ukshin Hotit, ndonëse dihen me emra e mbiemra të gjithë ata që kanë shërbyer në burgun e Dubravës”, thuhet ndër tjera në një komunikatë.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që Prokuroria e Kosovës të zhvillojë hetime të detajuara për të ndriçuar fatin e Ukshin Hotit dhe përgjegjësit për zhdukjen e tij të sillen para drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat