Kosova pret fitore në përballje me Contour Global

Kosova

Kosova pret fitore në përballje me Contour Global

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Qeveria e Albin Kurtit duket se ka hequr dorë krejtësisht nga termocentrali “Kosova e Re”. Të paktën në  Programin Qeverisës 2021-2025 nuk përmendet ndërtimi i këtij apo ndonjë termocentrali të ri.

Në planet e ekzekutivit është përmirësimi i kapaciteteve ekzistuese të furnizimit me energji elektrike.

“Do të zbatojmë masat ambientale në termocentralin Kosova B dhe do të dekomisionojmë asetet jofunksionale të Kosovës A. Rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik”, thuhet në programin e qeverisë.

Më 2017 u nënshkrua marrëveshja 1.3 miliardëshe me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, që përbënte investimin më të madh të huaj në Kosovë.  Ky projekt u ndërpre më 2020 nga vetë investitori, duke lënë pikëpyetje nëse është tërhequr pasi nuk dëshiron të merret me thëngjill apo ndikuan kundërshtimet politike të qeverisë Kurti 1 që të mos vazhdohet tutje.

Në Ministrinë e Ekonomisë nuk pranuan të deklarohen, duke e cilësuar si projekt të së kaluarës. Por, aktuale në këtë situatë është përballja e shtetit me Contour Global në Gjykatën e Arbitrazhit. Kompania amerikane ka kërkuar dëmshpërblim 20 milionë euro.

Por Avokati i Shtetit, Sami Istrefi, është i bindur që faji nuk është tek pala e tij, pasi Kosova nuk e ka ndërprerë njëanshëm kontratën. Ky konsideron se Contour Global është tërhequr vetë nga marrëveshja.

Pavarësisht nëse Kosova mund ta fitojë këtë rast, drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, thotë se është dëmtuar imazhi në raport me investitorët e huaj.

Sektori i energjisë në Kosovë, në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, është cilësuar si shumë i varur nga qymyri që shkakton rreziqe për shëndetin dhe mjedisin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat