Ja sa vaksina antic-covid janë dhënë në Kosovë

Kosova

Ja sa vaksina antic-covid janë dhënë në Kosovë

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 13:11
Ilustrim

Mbi 600 persona kanë marrë vaksinën anti-COVID paraditen e sotme në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ndërsa në nivel vendi janë vaksinuar mbi 3 mijë qytetarë.

Kështu bëri të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, i cili tha se deri më tash janë dhënë afër 130 mijë vaksina.

Bardhi: Në nivel vendi janë mbi 129 mijë e 200 vaksina

"Aktualisht, deri në këto çaste që flasim janë mbi 600 persona të vaksinuar në sallën '1 Tetori', ndërsa nëse i referohemi në nivel të vendit, kemi mbi 3 mijë e 300 doza të dhëna. Ndërsa totali i dozave të dhëna deri në këto çaste që po flasim në nivel vendi janë mbi 129 mijë e 200 vaksina", tha ai.

Ai bëri të ditur se Kosova ka numër të mjaftueshëm të vaksinave, teksa apeloi te qytetarët që duke respektuar grupmoshën e caktuar, të aplikojnë në platformë dhe të caktojnë terminin.

Bardhi: Vaksina ka mjaftueshëm

"Vaksina ka mjaftueshëm në dispozicion, mjafton që të kemi kërkesën dhe interesin e qytetarëve dhe të aplikojnë në platformën 'ekosova' dhe padyshim që kur ne e kemi atë pjesë të terminit të ndarë, ai ka me e marrë vaksinën. Por, apeloj edhe njëherë të gjithë qytetarët që të aplikojnë në platformë dhe paralelisht me ndarjen e terminëve të respektohet grupmosha që kemi mbi 65 vjeç dhe nëse është kategori e të sëmurëve kronik, duhet të dëshmojnë me dokumentacionin bartës mbi shëndetin e personit në fjalë", tha ai.

Sa i përket vaksinimit të kategorive tjera të popullsisë, Bardhi tha se kjo do të ndodhë sapo të marrin rekomandimin nga Komiteti për vaksinim të popullatës.

Bardhi: Veprojmë sipas rekomandimit të komitetit për vaksinim të popullatës

"Ajo mbetet mbi bazën e respektimit të planit të veprimit, që janë afate kohore të ndara dhe në momentin e rekomandimit që rrjedh nga komiteti për vaksinim të popullatës, ne me automatizëm veprojmë sipas atij rekomandimi", u shpreh ai.

Bardhi bëri të ditur se në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë po vazhdojnë punën e vaksinimit 15 ekipe mjekësore, numër ky që do të vazhdojë punën edhe pasdite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat