Klasa e lirisë, dëshmi e masakrave mbi shkollën shqipe në Skenderaj

Kosova

Klasa e lirisë, dëshmi e masakrave mbi shkollën shqipe në Skenderaj

Nga: Ramiz SPAHIU Më: 25 korrik 2021 Në ora: 14:18
(Kumtes e lexuar në Sesionin e XVI shkencor të mbajtur më 18 Korrik 2021 në Skënderaj me temën "Masakrat dhe krimet serbe në trojet shqiptare 1912-1999" , organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptar "Trojet e Arbrit")

Historia e shkollës shqipe është një dhe e pa ndarë nga historia e popullit tone dhe nga lufta për liri. Rrënjët i ka në përvuajtshmëri dhe gjak. Prej kur zuri fill, çdo hap e bëri me sakrifica te mëdha. Pionierëve te parë të shkollës u është dashur ta mbrojnë me gjak çdo shkronjë te alfabetit shqip. Janë te shumtë arsimtaret qe janë martirizuar për idetë dhe veprimtarin e tyre patriotike.

Mbijetesa e shkollës: Te kujtojmë me ketë rast shkollën shqipe ne Kosovë ne vitet e ’90 – ta, te shekullit te kaluar: helmimet e nxënësve shqiptar, mbylljen e shkollave për shqiptaret, puna ne shtëpi-shkolla, puna e arsimtarëve pa paga, represioni ndaj drejtuesve te shkollës, arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve, puna e shkollës gjatë luftës në kampe te refugjatëve dhe nëpër male ku ishte strehuar popullata (shkollat e najlonit) etj. Ishin ato vite te sprovave te mëdha, por mobilizimi masiv, vendosmëria dhe sakrifica kolektive e arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve, rezultoi me një kaptinë te suksesshme te organizimit te mësimit ne kushte te okupimit, rezistencën kundër dhunës serbe dhe mbijetesën e shkollës shqipe ne Kosovë.

Shkolla dhe lufta: Si kudo në Kosovë edhe në komunën e Skenderajt, dëmet e luftës ishin te tmerrshme. U dogjën e u shkatërruan mbi 10 mijë shtëpi, me 3600 objekte përcjellëse dhe 30 shkolla e objekte tjera shoqërore, d.m.th. rreth 90 % e ndërtimeve.

Edhe në njerëz humbjet janë shumë të mëdha: 859 civil te vrarë, 201 dëshmor të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, 188 te zhdukur dhe 370 te plagosur. *(Pasojat e luftës në Kosovë, Prishtinë 2002, faqe 373). Dhe, me 1248 njerëz te vrarë e te zhdukur, Skenderaj përbën afër 10 % e numrit te përgjithshëm te të vrarëve ne Kosovë.

Lufta ishte shumë e dhimbshme dhe me pasoja te renda edhe për shkollat e komunës se Skenderajt. Kriminelet serb vranë 44 arsimtar e punëtor te shkollës dhe 81 nxënës. Plagosen 26 nxënës dhe 15 arsimtar, ndërkaq u burgosen 6 arsimtar. *(Shkendija, Prishtinë, mars 2000, faqe 5). Edhe sot, njëzet e dy vite pas lufte, shume arsimtar e nxënës te shkollave tona, janë te pagjetur.

Klasa e Lirisë – dëshmi e krimeve barbare mbi shkollën e Skenderajt Sikur gjithë shkollën shqipe kudo ne Kosovë, fat i rend e ndoqi edhe shkollën e mesme teknike “Anton Çetta” ne Skenderaj. Nga kjo shkollë u vranë 33 nxënës: Besim Jashari, Ajvaz Jashari, Avdullah Jashari, Alban Ahmeti, Enver Hoti, Lavdim Vojvoda, Driton Mula, Zykri Mula, Arton Mulaj, Esat Osmani, Sefedin Lushtaku, Gazmend Hajdari, Sefedin Koca, Nysret Kadriu, Fadil Osmani, Fisnik Osmani, Jeton Gashi, Abedin Ahmeti, Gani Muliqi, Shemsi Rexhepi, Perparim Hoti, Abdyl Aliuka, Nehat Kabashi, Selami Musli`u, Arton Spahiu, Ekrem Kerolli, Nebih Salihi, Faton Shabani, Hamit Ademi, Kujtim Shala, Avni Kuliqi, Gëzim Ferizi dhe Faik Draga. Renditja është bërë në mënyrë kronologjike, sipas datës se rënies. *(Klasa e Lirisë, Prishtinë, 2007, faqe 43).

Vargut të nxënësve të Klases se Lirisë i shtohen edhe 6 mësimdhënës dëshmor: Faik Hajrizi, inxhinier i teknologjisë; Sabit Veliqi, profesor i gjuhës angleze; Arsim Gashi, inxhinier i makinerisë; Ajet Beqiri, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe; Januz Gusturani - profesor i kimisë dhe Demir Ahmeti - profesor i historisë, (i zhdukur ende).

Klasa e Lirisë me tridhjetë e tre nxënës dhe gjashtë mësimdhënës, të vrarë vetëm pse flisnin shqip, vetëm pse ishin shqiptar, vetëm pse jetonin ne token e arbrit, është një dëshmi e dhunës barbare dhe masakrave te tmerrshme serbe ndaj shkollës dhe popullit shqiptar në Skenderaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat