Ambasada britanike komenton vendimin e Gjykatës për Gashiqin

Kosova

Ambasada britanike komenton vendimin e Gjykatës për Gashiqin

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 17:13
Dragica Gashiq

Ambasada britanike në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë për të lejuar Dragica Gashiqin për tu kthye në Kosovë. Ambasada përmes një reagimi në Twitter ka deklaruar se ky vendim dërgon një sinjal të fortë se Kosova respekton të drejtën e çdokujt për tu kthyer në vendin e origjinës.

“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Themelore në Gjakovë për të lejuar një të rikthyer për të qëndruar në apartmentin e saj dërgon një sinjal të fortë që Kosova respekton të drejtën e çdokujt për t’u rikthyer në vendin e tyre të origjinës. Ne jemi krenar që kemi punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i rikthyer mbi 250 familje nga të gjitha etnitë në Kosovë që nga viti 2010. Kur individët janë të targetuar në rastet siç është ky, vetëm u shërben atyre që dëshirojnë të dëmtojnë Kosovën”, thuhet në reagim.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme ndaj Dragica Gashiqit të bërë në padinë e Komunës së Gjakovës.

Komuna e Gjakovës kishte kërkuar që gjykata të vendosë masën e sigurisë, përmes së cilës, Dragica Gashiqit do t’i ndalohej “që personalisht të qëndrojë, shfrytëzojë apo banojë në banesë dhe të njëjtën mos ta rinovojë si dhe të mos bëjë asnjë ndryshim”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore më 9 gusht, gjyqtari i çështjes, Malsor Kryeziu, e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e paditëses, përkatësisht Komunës së Gjakovës, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Aty thuhet se procedura në këtë çështje juridike – kontestimore – do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës kontestimore dhe se kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej shtatë ditësh.

Rrjedhimisht, Gashiqit i lejohet të qëndrojë në banesën në të cilën ishte kthyer në fillim të muajit qershor.

Agjencia Kosovare e Pronës (Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave) e liroi banesën e Dragica Gashiqit në Gjakovë, ku ajo u vendos më 9 qershor. Deri atë ditë, në këtë banesë kishte jetuar një familje shqiptare nga Kosova.

Gashiq u bë serbja e parë që u kthye në Gjakovë, që pas përfundimit të luftës më 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat