​Jashari fushatën zgjedhore e nis me homazhe te të rënët për liri

Kosova

​Jashari fushatën zgjedhore e nis me homazhe te të rënët për liri

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 12:20
Bekim Jashari

Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari ka zgjedhur që fushatën zgjedhore ta nis duke përkujtuar të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Jashari bashkë me kandidatët e Listës së Pavarur “Bekim Jashari”, ka bërë fillimisht homazhe te kulla e Ahmet Delisë, për të vazhduar më pas te kulla e Tahir Mehës, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Nga Prekazi kryetari aktual i Skenderajt dhe pretendenti që edhe për 4 vite ta udhëheqë këtë komunë, Bekim Jashari tha se sot nuk po bënë fushatë por thjesht po kujton dhe nderon të rënët për liri.

Nën sloganin “Ideal për Skenderajn”, Jashari kërkoi që të gjithë të jeni më të bashkuar për ta dërguar në vend amanetin e të rënëve e që është zhvillimi i Kosovës.

Jashari: Ne sot nuk jemi duke bërë fushatë

“Sot ka filluar edhe zyrtarisht por që ne sot nuk jemi duke bërë fushatë, sot kemi filluar duke i nderuar të gjithë ata që na mundësuan që ne me qenë të lirë. Neve filluam ku ka filluar në këtë fshat para më shumë se një shekulli te kulla e heroit tonë kombëtar, Ahmet Delisa, dhe vazhduam te kulla e Tahir Mehës.... Kështu ne sot po vazhduam me këtë agjendë dhe do bëjmë homazhe dhe nderime dhe kujtuar këtë të kaluarën tonë me shumë vuajtje dhe sakrifica që neve të jemi nesër shumë të kujdesshëm në veprimet dhe punët tona që do i bëjmë për të mirën e qytetarëve të këtij vendi. Uroj që të jemi sa më afër njeri-tjetrit më të dashur ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë vend. Vetëm kështu mund të themi se amaneti i dëshmorëve po realizohet, atëherë kur ka një ekonomi dhe një zhvillim stabil të vendit tonë”, u shpreh Jashari.

Derisa sot edhe zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore përkundër që Kosova vazhdon të ballafaqohet me numra dyshifror të të vdekurve si pasojë e COVID-19, Bekim Jashari, kandidat i pavarur për kryetar të Skenderajt, tha se do zbatojnë të gjitha vendimet e qeverisë dhe rekomandimet e IKSHP-së, dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim se a do bëjë fushatë 30 ditore siç e parasheh ligj, apo do ta shkurtojë fushatën e tij.

Jashari: Nuk kemi marrë vendim rreth fushatës zgjedhore

“Ne do i respektojmë të gjitha masat që kanë dal nga IKSHP dhe vendimet e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë nuk do diskutim ajo gjë. Nuk kemi marrë ende vendim sepse thash sot nuk jemi duke bërë fushatë”, deklaroi ai.

Në kuadër të aktiviteteve të tij, kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari do të vizitojë edhe kullën e Ilaz Kodrës, pllakën përkujtimore të Hasan Prishtinës në Polac, Kompleksinë Memorial të Dëshmorëve në Marinë, Kompleksin e varrezave në Qirez e Likoshan, Rezallë, Izbicë dhe komplekse, varre e vende tjera historike të kësaj komune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat