​Sërish protestojnë punëtorët e lotarisë, kërkojnë ndryshimin e ligjit dhe marrjen e pagave

Kosova

​Sërish protestojnë punëtorët e lotarisë, kërkojnë ndryshimin e ligjit dhe marrjen e pagave

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 12:38
Pamje nga protesta

60 punëtorë të Lotarisë së Kosovës kanë protestuar edhe këtë të hënë para objektit të Qeverisë së Kosovës. Punëtorët po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe marrjen e pagave.

Ata poashtu kërkuan që të rikthehen në punë meqë tash e sa kohë janë të papunë.

Kryetari i Sindikatës së Lotarisë, Shkumbin Goçi i cili tregoi për arsyen e protestës, theksoi edhe se kanë kërkuar takime me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore por që kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.

Ai ka shtuar se nuk do t’i ndalin protestat derisa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim.

Goçi:Edhe sot jemi dal mi kërku të drejtat tona të cilat po na mohohen gjithmonë

“Kemi shumë probleme punëtorët janë shumë në gjendje të keqe financiare. Kemi kërkuar takime edhe prej protestës së fundit që kemi pas të premten, askush nuk na është përgjigjur, madje kemi dërgu edhe e-mali, atëherë njëjtë as këtu nuk është përgjigj askush. Edhe sot do të vazhdojmë edhe ditëve të tjera do të protestojmë deri sa të plotësohen kërkesat tona sa i përket ligjit edhe pagave obligimet që i ka Qeveria ndaj neve. Punëtorë aktivë jemi 60 punëtorë që jemi në marrëdhënie pune të rregullt, është gjendja financiare shumë e keqe e këtyre punëtorëve, janë 60 familje nuk janë 60 punëtorë asnjë nuk merr kurrfarë përgjegjësie për neve. Kërkesat konkrete premtimet që na kanë dhënë që ligji është i gatshëm në ministrinë e financave mu procesu sa më shpejtë në kuvend me fillu punën edhe mu përmbush obligimet që i kanë ndaj punëtorëve për paga,” ka thënë ai.

Zijadin Ramadani, përfaqësues i sindikatës së lotarisë në Ferizaj, tha se që 30 muaj janë të neglizhuar nga shteti. Edhe kërkesa e tij është kthimi në punë dhe pagat të cilat nuk i kanë marrë tash e një kohë.

Ramadani:Kemi dal të protestojmë sepse që 30 muaj jemi pa pagë dhe pa mbikëqyrje

“Kemi dal se që 30 muaj jemi pa pagë, pa mbikëqyrje[...]shteti na ka lënë në rrugë nuk ka mbikëqyrje ndaj neve, edhe gjashtë muaj dal në pension por unë deri në fund kom me qëndru këtu. Kërkesat e tona janë me na kthy ligjin e punës, me na kthy në punë edhe me na jep pagat se jemi të pafajshëm, nuk kemi kurrgjë. Kemi provu që s’ disa herë por nuk na u kanë përgjigje,” ka shtuar Ramadani.

Ibadete Hasani-Berisha tregoi edhe për premtimin që ishte bërë për një takim me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, por që ky takim nuk ndodhi asnjëherë.

Berisha:Kemi dal për të vetmen arsye miratimin e ligjit edhe pagat

“Kemi dal për të vetmen arsye miratimin e ligjit edhe pagat, kështu që nuk kemi has në mirëkuptim me Qeverinë çdo herë neglizhencë pas neglizhence edhe jemi detyruar e jo nga dëshira me protestu. Na secilën herë kemi dal me vullnet të mirë edhe kemi prit që dikush ko me dal ka mu taku me neve por asnjëherë nuk kemi has në mirëkuptim. Janë dërgu e-mail, normal diçka që është krejt e ligjshme dhe zyrtare dhe as nuk i kanë hap dhe nuk kemi prit kurrfarë përgjigje kështu që jemi detyru edhe fizikisht kemi ardh disa herë ne Qeveri mu taku më dikë por nuk na kanë prit. Herën e kaluar ka dy muaj na kanë premtu një takim me ministrin e financave pasi aty kas blloku ligji jonë, edhe atë takim nuk e kanë arrit as nuk na kanë lajmëruar që u kry edhe prapë kemi dal me protestua,” ka potencuar ajo.

Para dy viteve Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për mbylljen e të lojërave të fatit në Kosovë, ligj ky i cili hyri në fuqi më 10 maj 2019 .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat