VOA: Vazhdojnë hetimet dhe reagimet për vrasjen e trefishtë në Deçan

Kosova

VOA: Vazhdojnë hetimet dhe reagimet për vrasjen e trefishtë në Deçan

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 20:22
Autobusi i sulmuar mbrëmë në Gllogjan

Policia e Kosovës tha të shtunën se po kryen hetime të ngjeshura për të gjetur autorët e incidentit të së premtes mbrëma që la pas vetes tre të vrarë dhe një të plagosur.

Të tre personat u vranë nga të shtënat me armë zjarri mbi një autobus në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Zëvendësdrejtori i policisë në rajonin e Pejës, Veton Elshani, tha se besohet që një sulmues i maskuar qëlloi mbi autobusin që po udhëtonte nga Gjakova për ne Deçan dhe në të ndodhshin tetë të rinj. Ai nënvizoi se “nuk ka arsye për të besuar se bëhet fjalë për sulm terrorist”.

Autoritetet thanë se shoferi i autobusit dhe dy të rinj të lindur më 2003 dhe 2004 kanë humbur jetën. I plagosuri është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Incidenti nxiti reagime në shkallë të gjerë të institucioneve vendase e ndërkombëtare.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, u shpreh i tronditur nga sulmi ndaj nxënësve në Gllogjan dhe u ngushëlloi familjet e viktimave.

Zyra e Bashkimit Evropian u shpreh “e tronditur dhe thellësisht e pikëlluar nga sulmi i neveritshëm mbi autobusin me nxënës”, ndërsa shfaqi shpresën se autori do të vihet shpejt para drejtësisë”.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se “qëndron përkrah qytetarëve të Kosovës në këto çaste të dhimbshme”, ndërsa u shpreh i tmerruar me incidentin.

Vrasja e trefishtë e së premtes mbrëma u dënua nga udhëheqës politik në Kosovë dhe në Shqipëri./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat