​“Dante” dhe “Sutherland” me marrëveshje bashkëpunimi, punësojnë mbi 50 persona

Kosova

​“Dante” dhe “Sutherland” me marrëveshje bashkëpunimi, punësojnë mbi 50 persona

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 14:58
Pamje nga takimi

Qendra e gjuhës dhe kulturës italiane Dante ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Sutherland, ku përmes këtij bashkëpunimi shumë të rinj pasi që do të mësojnë gjuhën italiane do të kenë mundësinë që të punësohen në këtë kompani.

Nga data 7 janar 2022, Qendra e gjuhës dhe kulturës italiane Dante do të fillojë mbajtjen e kurseve përgatitore për punësim në gjuhën italiane në kompaninë Sutherland. Kurset do të jenë super intensive dhe do të zgjasin katër muaj, e që më pas ata që ndjekin do të punësohen në kompaninë Sutherland.

Mësimi do të organizohet në bazë të kurrikulave të veçanta dhe ata që marrin pjesë mund të arrijnë në nivelin B2 brenda këtyre muajve.

Drejtoresha e Qendrës së gjuhës dhe kulturës italiane Dante, Arjeta Berisha-Gashi, tha se përmes këtij bashkëpunimi të gjitha ata që ndjekin këtë kurs do të mund të punësohen menjëherë në kompaninë Sutherland.

Ajo tha se Dante bënë të gjitha përgatitjet lidhur me aftësimin e kandidatëve për të komunikuar rrjedhshëm për situata konkrete lidhur me punën dhe për ta kaluar me sukses fazën e testimit për punësim në Sutherland.

Berisha: Qëllimi është që ata të punësohen pas disa muajve që do ta mësojnë gjuhën italiane

“Ne qendra ‘Dante’ kemi nënshkruar sot marrëveshje me ‘Sutherland’, jemi shumë të lumtur për këtë marrëveshje për arsye se kjo rrjedh... pasi që është kërkuar dhe e kemi pa të nevojshme që t’i aftësojmë shumë të rinj që dëshirojnë ta mësojnë italishten, qëllimi është që ata të punësohen në vitin 2022 pas disa muajve që do ta mësojnë gjuhën italiane në qendrën tonë. Kemi krijuar kurrikula të veçanta duke u bazuar në kërkesën e ‘Sutherland’, studentët tanë do të përvetësojnë aftësi të gjuhës italiane për të punuar në ‘Sutherland’, mësimet do të mbahen çdo ditë nga 3-4 orë dhe pas katër muajve ose pesë ata do të jenë në gjendje të punojnë në ‘Sutherland’... Jemi shumë të lumtur për këtë bashkëpunim për arsye se po flasim për një lider botëror... I presim me dyer të hapura shumë persona, shumë të rinj që kanë nevojë për punë dhe të cilët dëshirojnë të punësohen në gjuhë italiane”, tha ajo.

Ndërsa, përfaqësuesja e kompanisë Sutherland, Donika Karaxha, tha se përmes këtij bashkëpunimi do të punësohen mbi 50 persona gjatë vitit të ardhshëm, por që u shpreh se ky numër mund edhe të rritet.

Karaxha deklaroi se në Qendrën Dante do të aftësohen kandidatët për pozitën “konsulentë i shërbimeve ndaj konsumatorit” dhe që do të ofrojë shërbime për një lider botëror.

Karaxha: Kërkojmë për të punësuar kandidatë në pozitën konsulentë i shërbimeve ndaj konsumatorit

“Sutherland është kompani globale amerikane, operon në Kosovë që katër vite. Ne kërkojmë për të punësuar kandidatë në pozitën konsulentë i shërbimeve ndaj konsumatorit, në këtë rast me gjuhë italiane, ku kemi arritur marrëveshje përmes ‘Dante’ që t’i aftësojmë kandidatët për punësim tek ne. Jemi shumë të lumtur me këtë bashkëpunim, meqë mendojmë që ka potencial në Kosovë të të rinjve dhe ka me pas interesim, për më shumë që ‘Sutherland’ ofron kushte të punës në përputhje me Ligjin e punës, në ambient profesional pune me një kulturë globale, që kanë me përfitu shumë edhe prej punësimit. Si ‘Sutherland’ në këtë pozitë kandidatët kanë me ju ofru shërbime një liderit botëror në ‘online retail shopping’. Kështu që, ka me qenë një përvojë shumë e mirë dhe i inkurajojmë të gjithë ata që janë të interesuar për punësim me viju kursin ‘Dante’, i cili do t’i përgatisë për punësim tek ne dhe ne do t’i mirëpresim në familjen tonë”, tha ajo.

Qendra e gjuhës dhe kulturës italiane Dante funksionon që nga viti 2016 dhe deri më tani ka përgatitur për studime në Itali mbi 100 studentë dhe qindra të tjerë kanë përvetësuar gjuhën italiane për të punuar në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat