​Sazan Ibrahimi: Gjatë festave të fundvitit duhet të hiqet ora policore

Kosova

​Sazan Ibrahimi: Gjatë festave të fundvitit duhet të hiqet ora policore

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 17:25
Sazan Ibrahimi

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria për respektim të masave kundërCOVID-19, të largohen dhe të ketë më shumë ekipe mobile nëpër fshatra malore.

Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së tha në një intervistë për KosovaPress se përkrahin masat kundërCOVID-19, por kërkon heqjen e orës policore gjatë festave të fundvitit.

Ibrahimi: AKK mbështet masat antiCOVID-19 që japin rezultate

“Asociacioni i Komunave të Kosovës, së bashku drejtorët komunalë i kanë përkrahur dhe do t’i përkrahin të gjitha masat që kanë dhënë rezultat dhe japin rezultat, sa i përket parandalimit të përhapjes së COVID-19, por në disa raste Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga niveli qendror që masat, të cilat po i ndërmerr. Kemi edhe argumente shkencore, siç është çështja e orës policore dhe bartja e maskës për personat të cilët lëvizin vetëm në ambient të jashtëm apo për personat që janë të imunizuar”, tha Ibrahimi.

Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës konsideron se tashmë në prag të festave të fundvitit duhet të largohet ora policore.

Ibrahimi: Të hiqet ora policore gjatë festave të fundvitit

“Gjithashtu gjatë festave të fundvitit masa e orës policore të largohet në tërësi, por kërkojmë edhe nga diaspora që besojmë se do të vijë në masë të jashtëzakonshme, që të vijnë të vaksinuar, në mënyrë që edhe ne të kemi një fundvit të suksesshëm dhe ta festojmë në mënyrë të dinjitetshme. Besojmë që vetëdija e qytetarit në Kosovë, por edhe jashtë saj, është në nivel të tillë që të vaksinohen apo të imunizohen, sepse po shihet që vetëm vaksinimi apo imunizimi është arma e vetme që po lufton parandalimin e përhapjes së COVID-19”, tha ai.

Ibrahimi ka folur edhe për përkrahjen për komunat gjatë pandemisë, ku bizneset që kanë pasur problem gjatë kësaj kohë do të lirohen nga taksa komunale.

Ibrahimi: Në shumicën e rasteve janë hequr gati të gjitha taksat komunale për bizneset

“Sa i përket komunave dhe përkrahjes së komunave ndaj bizneseve komunat në shumicën e rasteve i kanë hequr po thuajse të gjitha taksat komunale karshi bizneseve e sidomos për bizneset start-up, por vitin e kaluar edhe në këtë vit në disa komuna me numër të jashtëzakonshëm të tyre kanë marrë vendim që të gjithë gastronomet të cilët operojnë apo i kanë në shfrytëzim pronat komunale, të lirohen plotësisht nga qiraja. Po ashtu, kanë marrë vendimin që bizneset të cilat kanë pasur probleme sa i përket përballjes me COVID, të lirohen edhe nga disa taksa komunale”, shton ai.

Ibrahimi tregon se ka një muaj që nuk kanë pasur takime me nivelin qendror kundrejt masave të pandemisë e që shpreson se pas kthimit të ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi të kenë një të tillë.

Ibrahimi: Gati që një muaj s’kemi pasur një takim me nivelin qendror

“Deri më tani ka qenë traditë që Asociacioni i Komunave të Kosovës së bashku me komunat e Republikës së Kosovës të ketë një takim të përbashkët në baza dy javore me nivelin qendror me ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të rishikohen masat që të shtohet se çka është duke ndodhur në teren të analizohet situata me COVID-19 dhe në bazë të analizave shkencore të merren vendime për shtrëngimin kushtimisht të masave apo për lirimin e masave. Ne po thuajse më shumë se një muaj nuk kemi pasur një takim me nivelin qendror. Shpresojmë që ministrin e ri pasi që do të vijë nga SHBA do ta kemi një takim të përbashkët ku besojmë që praktikat e marra nga SHBA sa i përket masave antiCOVID do të zbatohen edhe në Republikën e Kosovës,” tha Ibrahimi.

Më tutje ai shton se sipas tij për situatën e pandemisë, duhet të ketë mobilizimin të ekipeve mobile nëpër fshatra dhe në qytete për personat e pa vaksinuar.

Ibrahimi: Niveli qendror të marrë hapa seriozë në mobilizimin e ekipeve mobile për vaksinim

“Ne gjithashtu ftojmë nivelin qendror të marrë hapa konkretë dhe seriozë në mobilizimin e ekipeve mobile, në mënyrë që t’i dërgojë edhe nëpër fshatrat malore, edhe nëpër fshatrat më të mëdha, në mënyrë që t’i stimulojë qytetarët që të vaksinohen. Gjithashtu, kërkojmë lehtësira për personat të cilët janë të imunizuar, në mënyrë që ata të cilët nuk janë të imunizuar të imunizohen. Pra, disa lehtësira mund të krijohen. Praktika të ndryshme të mira ka jo vetëm në shtetet në rajon, por edhe më gjerë sa i përket stimulimit të qytetarëve për t’u vaksinuar”, tha Ibrahimi.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi kanë treguar për masat e reja antiCOVID që do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme, ku në mesin e tyre vazhdon të mbetet në fuqi ora policore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat