Vllahiu: Kosova duhet ta shohë interesin e brendshëm te “Ballkani i Hapur”

Kosova

Vllahiu: Kosova duhet ta shohë interesin e brendshëm te “Ballkani i Hapur”

Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 00:18
Arbër Vllahiu

Analisti Arbër Vllahiu thotë se Kosova duhet ta shohë bashkimin në “Ballkanin e Hapur” si një interes për të zhvilluar proceset drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vendi duhet ta shohë interesin e tij në një rrugë më të gjatë, jo të mbyllet dhe të izolohet plotësisht, por të jetë i kujdesshëm në raport me Serbinë.

“Por, ‘Ballkani i Hapur’, në një formë, do të duhej ta ndihmonte Kosovën, që në raport me Serbinë të vendoste një marrëdhënie, e cila do të shtynte Serbinë, që përmes këtij procesi, t’i njohë një pjesë të atyre gjërave që kanë të bëjnë edhe me ekonominë edhe me çështjet politike,” tha Vllahiu.

Sipas analistit, duhet parë edhe interesin e shqiptarëve brenda një “Ballkani të Hapur”, sepse zakonisht thuhet se janë interesat e Serbisë dhe Rusisë.

“Nëse një ‘Ballkan i Hapur’ na jep një treg më të gjerë me Shqipërinë, Kosovë-Shqipëri, në raport me Maqedoninë, ku ka shqiptarë, në raport me Serbinë, në Luginën e Preshevës, në raport me shqiptarët në Mal të Zi, atëherë duhet parë edhe interesin e përbashkët të shqiptarëve brenda një ‘Ballkani të Hapur’.”

Vllahiu deklaron se “Ballkani i Hapur” do të ketë suksese nëse bëhet një treg 20 milionësh dhe nëse futen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi pasur një proces të mbyllur ose të bllokuar prej Bashkimit Evropian për zgjerimin e tij me vendet e Ballkanit Perëndimor për një periudhë shumë të gjatë. Këtu është ajo frika edhe e Vuçiqit edhe e Ramës, por edhe e disa liderëve tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se Bashkimi Evropian nuk na do brenda. Prandaj, duhet të krijojmë diçka, e cila do të jetë komplementare me këtë rrugë, por e cila nuk do ta pengonte rrugën e integrimeve evropiane.”

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në raport me “Ballkanin e Hapur”, kanë problem më të madh çështjet e sigurisë. Vllahiu thotë se nëse hiqen kufijtë, është problem kontrollimi i krimit të organizuar, i substancave që mund të kalojnë dhe i gjërave tjera që lidhen me sigurinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat