Lumezi mban takimin e kolegjiumit të parë për 2022 me kryeprokurorët e prokurorive

Kosova

Lumezi mban takimin e kolegjiumit të parë për 2022 me kryeprokurorët e prokurorive

Më: 21 janar 2022 Në ora: 17:25
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur takimin e kolegjiumit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur takimin e kolegjiumit, në të cilin morën pjesë të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, kryesuesi i Këshillit Prokurorial dhe zëvendëskryeprokurorja e Shtetit.

Pjesë thelbësore e këtij takimi ishte diskutimi për raportet e vlerësimit të performancës së eprorëve për vitin 2021, me ç’rast kryeprokurori Lumezi ka njoftuar kryeprokurorët e prokurorive përkatëse për vlerësimin vjetor të tyre sipas rregullores në fuqi.

Po ashtu, kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët që vlerësimet e bëra për prokurorët e prokurorive që ata udhëheqin të jenë të drejta dhe korrekte, si dhe të shpërndahen në kohë, në mënyrë që të gjithë prokurorët të kenë mundësi t’i paraqesin kundërshtimet e tyre në afatet e parapara ligjore.

Kryeprokurori i Shtetit njoftoi kryeprokurorët edhe për shpalljen e Konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, me ç’rast ka inkurajuar ata që të aplikojnë për këtë pozitë. Gjithashtu, kërkoi nga të njëjtit që t’i njoftojnë të gjithë prokurorët e prokurorive për shpalljen e konkursit, i cili do të jetë i hapur deri më 4 shkurt 2022 dhe, njëkohësisht, t’i inkurajojnë të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Në këtë takim kolegjiumi, u diskutua edhe inicimi i procedurave disiplinore ndaj prokurorëve apo kryeprokurorëve, sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, me ç’rast kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, njoftoi lidhur me miratimin e Udhëzuesit Themelor të Referimit për Organet Parahetuese dhe Hetuese Disiplinore, i cili është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe do t’u shërbejë kryeprokurorëve për t’i trajtuar ankesat e subjekteve të ndryshme që ushtrohen ndaj prokurorëve.

Ndërkaq, kryeprokurori i Shtetit ka njoftuar gjithashtu kryeprokurorët edhe për objektivat e Planit të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2022.

Në anën tjetër, zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, e cila është edhe koordinatore nacionale për rastet e dhunës në familje, ka kërkuar nga kryeprokurorët që në bashkëpunim me prokurorët e caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje të vazhdojnë trajtimin e këtyre rasteve me prioritet, duke zbatuar Procedurat Standarde të Veprimit, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ndaj kryesve të këtyre veprave penale, si dhe të rritet koordinimi dhe bashkëpunimi me Policinë dhe mbrojtësit e viktimave.

Në fund, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që të avancohet llogaridhënia, profesionalizmi dhe transparenca e punës së prokurorive që ata drejtojnë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat