​Qytetarët presin lehtësim të masave antiCOVID

Kosova

​Qytetarët presin lehtësim të masave antiCOVID

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 12:59
Foto ilustrim

Në kohën kur shumica e vendeve evropiane po shkojnë drejt hapjes, në Kosovë vazhdon të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes si masë parandaluese kundër përhapjes së pandemisë COVID-19. Krahas reagimeve të shumta karshi këtij kufizimi, janë edhe qytetarët që po presin me padurim lehtësimin e masave.

Ndonëse numrat e të infektuarve me koronavirus kohët e fundit janë rritur, qytetari Shefqet Burinca shprehet pro lehtësimit të masave antiCOVID. 

Sipas tij, parandalimi i përhapjes së pandemisë nuk varet vetëm nga masat. 

Burinca: Nuk varet gjithçka nga masat 

“Gjendja po shkon gjithmonë duke u keqësuar, ndonjëherë po përmirësohet, nuk e di çka duhet me u ndërmarrë për ta përmirësuar COVID-in, nuk varet e gjitha nga masat. Po shihet që gjendja po përmirësohet dita ditës por unë nuk e di se pse menjëherë është bërë gjendja kështu... Nuk besoj tek masat më të ashpra, sepse të njëjtat gjëra janë duke u bërë çdo ditë”, thotë ai.

Edhe bashkëqytetari i tij, Agim Morina vlerëson se nevojitet lehtësimi i masave, posaçërisht ekonomia. Derisa shprehet i pakënaqur për masën e vendosur për hyrje në kufi. 

Morina: Të lirohen masat për zhvillim ekonomik

“Normal që duhet ekonomia të lirohet edhe një lloj imuniteti duhet të krijohet, shpresoj që së shpejti të jemi edhe pa pandemi. Për lokalet ndoshta në rregull është por për pikat kufitare nuk ka qenë në rregull dhe besoj se aty përmirësojnë diçka”, thotë ai. 

E Fehmi Bllaca thotë se Kosova duhet të marrë shembull nga vendet e tjera dhe të fillojë me lehtësimin e masave antiCOVID.

Bllaca: Kot po i mbajmë maskat, të lirohet masat

“Në lajmet e mbrëmjes, disa shtete të Evropës po i largojnë të gjitha pasi që tash këtë virus nuk po e krahasojnë sikur virusin e mëparshëm, diku 4-5 ditë sikur një grip i thjeshtë të mësohen. Po krejt, sepse kot po i mbajmë maskat. Shumë shtete të Evropës të Bashkimit Evropian(BE) po i heqin masat”, tha ai.

Pak më ndryshe mendon qytetari Musa Tullari, sipas të cilit, masat e vëna nga Qeveria janë të analizuara mirë dhe të nevojshme karshi situatës. Megjithatë thotë se nëse situata shkon drejt përmirësimit, ekzekutivi do të shkojë me lehtësim të masave. 

Tullari: Qeveria nuk i merr këto masa kuturu shpejt i analizojnë

“Qeveria nuk i merr këto masa kuturu, shpejt i analizojnë, ata janë më të mençur se ne qytetarët. Dhe, sipas situatës në teren siç është ashtu edhe merren masat, d.m.th nëse gjendja është më e mirë, është stabilizu, është e qëndrueshme në nivel më të ulët të infektimeve, atëherë edhe Qeveria merr masa për uljen dhe zbritjen e këtyre masave që kanë ndikuar edhe ekonomikisht dhe psiqikisht, kështu që besoj se nëse situata shkon duke u përmirësuar edhe masat do të zvogëlohen”, shprehet ai. 

Sot pritet të rishqyrtohen masat kundrejt COVID-19, të cilat janë marrë me 21 janar nga Qeveria e Kosovës. Në lidhje me këtë pritet që pasdite të mblidhet Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat