Inspektorati: Laboratorët bënë më pak dallavere me testet Covid

Kosova

Inspektorati: Laboratorët bënë më pak dallavere me testet Covid

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 00:42
Foto ilustrim

Inspektorati Shëndetësor, gjatë vitit 2021, i gjobiti 60 laboratorë privatë sa u përket parregullsive në kryerjen e testimeve në COVID-19.

Megjithatë, siç duket, këto ndëshkime të vitit të kaluar kanë bërë që sivjet këto institucione private të mbushen mend.

Sipas zëvendësuesit të detyrës së kryeinspektorit shëndetësor, Shaban Osmanaj, në këtë kohë Omicroni, ku kërkesa e qytetarëve është e madhe për testim, keqpërdorimet janë minimale në laboratorë privatë.

Megjithatë, vende-vende ka shkelje, por jo sikurse në valën e kaluar, ku shumë institucione shëndetësore private falsifikuan rezultatet e testeve.

Por, për ISH-në mbetet shqetësuese mosprania e profesionistëve shëndetësorë si mikrobiologu dhe biokimisti gjatë kryerjes së testeve për virus.

Në vitin 2021, Inspektorati Shëndetësor ka bërë 993 inspektime në institucione shëndetësore publike dhe private dhe me gjoba të shqiptuara në vlerë prej afro 350 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat