Anulohet protestë-vallëzimi për profën në Prishtinë, pritet të mbahet në Vushtrri

Kosova

Anulohet protestë-vallëzimi për profën në Prishtinë, pritet të mbahet në Vushtrri

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 12:55
Njoftimi

Protestë-vallëzimi i dedikuar për profesorin vushtrrias Lulzim Paci nuk është mbajtur në Prishtinë.

Organizatorët kanë thënë se ngjarja e titulluar “Vallëzojmë kundër bullizmit” ka dështuar për shkak se komuna e Prishtinës nuk ka dhënë leje për një gjë të tillë me arsyetimin se në sheshet e kryeqytetit do të vendosen tendat e vaksinimit.

Rron Haxhiislami nga studio e vallëzimit “Love and Dance Prishtina” ka thënë se megjithatë ‘protesta’ do të mbahet në Vushtrri në orën 14:00, ashtu siç ishte paralajmëruar.

“Komuna e Prishtinës lajmëron se nuk mund të realizohet fushata vetëdijësuese, “Vallëzojmë kundër Bullizmit” në sheshet e Prishtinës, me arsyen se qendrat e vaksinimit do të vendosen në sheshet e Prishtinës po këtë ditë! Këtë fushatë vetëdijësuese do ta realizojmë nesër vetëm në Vushtrri nga ora 14:00”, ka thënë ai.

“Vallëzojmë kundër bullizmit” i iniciuar nga “Evolution Dance Kosovo”, të cilës i është bashkangjitur edhe studio tjetër e vallëzimit nga Prishtina “Love and Dance Prishtina”, vjen pas reagimeve të shumta për Profën e Tik-Tokut i cili u bullizua për vallëzimet e tij në këtë rrjet sociale.

Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ajo e cila kishte kërkuar nga gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit që të marrin masa ndaj profesorit, për çka më vonë i ka kërkuar falje profesorit Paci.

Në njoftimin e paralajmëruar për këtë protestë-vallëzim thuhet se ky është një organizim kundër paragjykimeve dhe bullizmit në shoqërinë tone.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat