KEDS e përmbyll vitin 2021 me investime milionshe në rrjet

Kosova

KEDS e përmbyll vitin 2021 me investime milionshe në rrjet

Më: 4 mars 2022 Në ora: 10:14
Ilustrim

Vetëm gjatë vitit 2021, KEDS investoi mbi 22 milionë euro në rrjetin elektrik. E përmes këtyre investimeve u realizuan rreth 200 projekte, prej të cilave kanë përfituar afro 70 mijë konsumatorë nga e gjithë Kosova.

Sipas KEDS-it, këto projekte përfshijnë rikonstruimin e rrjetit të tensionit të ulët, rrjetit të tensionit të mesëm, modernizimin dhe digjitalizimin e nënstacioneve si dhe shtrirjen e rrjetit nëntokësorë.

Adlum Ramadani nga Zyra për Informim në KEDS thotë se përmes këtyre investimeve, konsumatorët po përfitojnë shërbime më kualitative të energjisë elektrike ndërsa shton se ato po mundësojnë që të rritet siguria në furnizim të qëndrueshëm me energji.

Ramadani: Gjatë vitit 2021 KEDS ka realizuar rreth 200 projekte investive në vlerë mbi 22 milionë euro

“Përgjatë vitit 2021, KEDS realizoi rreth 200 projekte investive, vlera e të cilave kap shifrën diku mbi 22 milionë euro, nga të cilat përfituan 70 mijë konsumatorë gjithandej vendit. Projektet investive, të cilat u realizuan në teren përfshijnë rikonstruimin e rrjetit të tensionit të ulët, rrjetit të tensionit të mesëm, modernizimin dhe digjitalizimin e nënstacioneve tona si dhe shtrirjen e rrjetit nëntokësor. Fokusi jonë krahas rrjetit nëntokësor ka qenë edhe digjitalizimi i rrjetit distributiv në mënyrë që neve të na mundësohet ta menaxhojmë dhe ta mbajmë nën kontroll rrjetin nga distanca. Falë këtyre investimeve ne sot kemi shërbime dukshëm më kualitative me energji elektrike, konsumatorët tanë kanë siguri më të madhe dhe furnizim më të qëndrueshëm dhe stabil me energji elektrike dhe njëkohësisht përmes tyre është rritur siguria në komunitet. Investimet e tilla do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti, ndërkaq synimi ynë është që ta bëjmë modernizimin e plotë të rrjetit dhe sigurisht konsumatorët tanë të përfitojnë shërbime edhe më të mira me energji elektrike”, thotë Ramadani.

Këto investime të KEDS-it i kanë mirëpritur qytetarët. Ata thonë se përmes investimeve që janë bërë në rrjet, energjia elektrike është shumë më kualitative derisa shtojnë se ka përmirësim të dukshëm me periudhat e mëhershme.

Dudë Grabanica jep një pasqyrë krahasimi mes të kaluarës dhe të tashmes, ku thotë se për dallim nga e kaluara, tash rrjeti po vendoset nëntokë.

Grabanica: Rryma tash nëntokë

“Të them të vërtetën krahasimi në mes të kaluarës dhe tash dallon në kuptimin e mirë, arsyeja është se ne jemi duke shkuar rreth zhvillimit dhe jo rreth humbjes. Më herët kanë qenë të vendosura shtyllat e drurit me shumë tela nëpër to, ka qenë rrezik nga kamionët të cilët e kanë pasur lartësinë me i përfshi të gjitha, mirëpo tash ka ndryshuar gjendja dhe është arsyeja se nëpër qytet nuk ekzistojnë më ata tela që kanë ekzistuar më herët[...]tash janë larguar që të gjitha dhe janë futur nëntokë”, tha ai.

I kënaqur me investimet në rrjetin elektrik është edhe qytetari Selman Kalludra, i cili thotë se për dallim nga e kaluara tani gjithçka është më mirë.

Kalludra: Rryma është më mirë tash se në të kaluarën

“Rryma është më e fortë, siguria është më e madhe, gjithçka është më mirë tash se në të kaluarën. Ne jemi shumë të kënaqur”, thotë ai.

KEDS thotë se do të vazhdojë me investime në modernizimin e rrjetit edhe përgjatë vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat