​Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Fitër-Bajramin

Kosova

​Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Fitër-Bajramin

Më: 2 maj 2022 Në ora: 06:06 Përditësuar në ora: 08:03 më 02.05.2022
Ilustrim

Presidentja Osmani uron Fitër Bajramin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Në urimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se kjo festë që shënon përfundimin e muajit të Ramazanit karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor.

“Uroj që ky Bajram të kalojë në frymën e solidaritetit, afërsisë dhe zemërgjerësisë, të cilën populli ynë e kultivon ndër shekuj. E kalofshi këtë festë me të afërmit tuaj në paqe e harmoni dhe i ndafshi të mirat me ta, me miqtë dhe fqinjët tuaj.

Frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë, e posaçërisht në festat si kjo, kur duhet t`ua zgjasim dorën njerëzve në nevojë. Kjo festë është, poashtu mundësi e mirë për forcimin e mirëkuptimit, afërsisë ndërnjerëzore me dëshirën e përbashkët për zhvillimin e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Me fat Fitër Bajrami!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani për festën e Fitër Bajramit.

​Besimtarët falin Fitër Bajramin me lutjet për paqe e dashuri dhe jo konflikte e urrejtje

Pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, besimtarët e fesë islame po kremtojnë sot festën e Fitër-Bajramit. Manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u dhanë mesazhe për paqe, dashuri, unitet dhe solidaritet.

Aty po ashtu është bërë lutje që në vatrat e krizës nëpër botë të ndalen luftërat e konfliktet dhe të vendoset paqja e qetësia.

Namazit të Bajramit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti. Kurse, Hytben e Fitër-Bajramit e mbajt Myftiu Naim Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste, ku tha se festa e Fitër Bajramit si asnjë festë tjetër bashkon familjen, miqtë e farefisin ngase kjo është obligim.

Tërnava: Festa e Fitër Bajramit për besimtarët është një ndër momentet më të gëzueshme

"Festa e Fitër Bajramit për besimtarët është një ndër momentet më të gëzueshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ngase në vete ka mesazhe hyjnore që ofrojnë familjen, të afërmit, miqtë e farefisin. Po ashtu, kjo festë ka në vete mesazhin e gëzimit, hares e lumturisë, që nga fëmijët, të rinjtë e për të gjitha grup moshat të cilat kjo festë në formën më të mirë i ofron drejt vlerave e porosive hyjnorë, humane e sociale. Festa e Fitër Bajramit na bashkon në xhami, me ibadet, falje e lutje drejtuar krijuesit të gjithësisë. Na bashkon me familje, me farefisin, me miqësinë, me vizita të ndërsjella duke uruar dhe përgëzuar, si dhe duke kujtuar ata që kanë shkuar para nesh nga kjo dynja”, tha ai.

Gjithashtu, Tërnava tha se festa e Fiter Bajrami bart mesazhin më të mirë për kultivimin e dashurisë për pasardhësit tanë.

Tërnava: Festa e Fitër Bajramit e bashkon komunitetin

“E kultivon dashurinë respektin e nipërve e mbesave për gjyshërit dhe anasjelltas, e kultivon respektin dhe kujdesin e prindërve për fëmijët, kultivon mbështetjen e solidaritetin për ata që kanë nevojë. Po ashtu, Festa e Fitër Bajramit e bashkon komunitetin e duke nxitur e kultivuar ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancën, harmonisë, respektin e bujarinë, vlera këto që e fisnikërojnë individin e shoqërinë mbarë“, ka thënë Ternava.

Tërnava tha se gjatë muajit të Ramazanit ishin së bashku, më të afërte, më të urtë, më fisnik e më human, pa harruar devotshmërinë e sinqeritetin, vlera këto që duhet kultivuar gjatë gjithë jetës tonë.

Ai shtoi se besimtarët e kanë obligim ta ruajnë me kujdes ekuilibrin ndërmjet materiales e shpirtërores, humanes e egoizmit.

Tërnava: Paqe e dashuri për të gjithë dhe jo konflikte, urrejtje e mosdurim

“Kur ne sot po festojmë të lirë Fiter Bajramin, kur ne po shijojmë mirësitë e kësaj feste, në shumë vende të botës, kemi konflikte, luftëra e gjakderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, dëbime e vrasje e shkatërrime. Nuk është ky misioni i njeriut në këtë botë, nuk është ky misioni ynë në këtë jetë. Kështu nuk na mësojnë librat e Zotit, e nuk na kanë ligjëruar kështu as pejgamerët e tij. Në këtë ditë të madhe nga ky vend, lutemi që në vatrat e krizës të ndalen luftërat e konfliktet, lutemi që në ato vende të vendoset paqja e qetësia, lutemi që të mos preken pleqtë, fëmijët të pafajshëm. Paqe e dashuri për të gjithë, e jo konflikte, urrejtje e mosdurim. Për t’i arritur këto vlera njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë t’i njoh e t’i përvetësoj drejt mësimet hyjnore, porosit e pejgamerëve dhe traditat tona pozitive që nuk janë të pakta. Më shumë se kurrë na duhet unitet e solidaritet. Tani së fundmi përveç konflikteve dhe luftërave, bota po përballet edhe me rritjen sociale që rrezikon shtresën e mesme ekonomike të popullatës”, ka thënë Ternava.

Me rastin e Fitër-Bajramit, kryesia e BIK-ut organizon pritje përurimi në selinë e kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Albin Kurti uron Fitër Bajramin: Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.

Ai ka thënë se pas një muaj agjërim sot besimtarët ndajnë gëzimin e festës.

Ai në Facebook ka shkruar se nga skarficat e muajit të ramazanit duhet të marrim mësim.

“Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Pas një muaji agjërim, vetëpërmbajtje dhe sakrificë, besimtarët myslimanë sot ndajnë gëzimin e Fitër Bajramit.

Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin.

Me urimin dhe shpresën që agjërimi dhe lutjet tuaja janë pranuar, me fat të gjithëve Fitër Bajrami.

Tërnava në faljen e Bajramit fton për paqe dhe tolerancë

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit, Falja e Namazit të Fitër Bajramit është mbajtur me fillim nga ora 06:09 në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Hytben e Fitër Bajramit e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me ç’rast edhe ka dhënë edhe një mesazh, ka ftuar për solidaritet dhe mirëqënie.

Tërnava ka thënë se kjo festë na bashkon ne xhami, me familje e me farefisin.

“Festa e Fiter Bajramit na bashkon në xhami, na bashkon me familje, me farefisin e miqësinë, me vizita të ndërsjella duke uruar e përgëzuar si dhe duke kujtuar ata që kanë shkuar para nesh nga kjo dynja”, tha Tërnava

Tutje Tërnava u shpreh se Festa e Fitër Bajramit bartë mesazhin më të mirë për kultivimin e dashurisë.

“Fiter Bajrami bartë mesazhin më të mirë per kultivimin e dashurisë, për pasardhësit tanë, e kultivon dashurinë e respetkin e nipërve e mbesave për gjyshërit e anasjelltas, kultivon respektin dhe kujdesin e prindërve për fëmijë”, deklaroi Tërnava.

“Festa e Fiter Bajramit e bashkon komunitetin dhe bënë që të reflektoj duke trokitur në ndërgjejen e tyre”, shtoi ai.

Falet namazi i Fitër Bajramit – kësaj here pa masa kufizuese dhe në atmosferë sikurse më parë

Pas 30 ditë agjërimi, myslimanët në mbarë botën sot festojnë Fitër Bajramin.

Qytetarë të shumtë janë parë mëngjesin e së hënës në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, për të falur namazin e Fitër Bajramit, ceremonia qendrore e së cilës u drejtua nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 06:09 të mëngjesit.

Tërnava në mesazhin e Fitër Bajramit një ditë më parë u shpreh se festa e Fitër Bajramit është festë që troket tek te gjitha shtresat e popullatës me porosi e mesazhe të ngrohta gjithnjë në funksion të afrimit me rahmetin e krijuesit të gjithësisë i cili për agjërimin ka premtuar shpërblim të veçantë.

Myftiu shtoi se pas dy viteve të shkuara që i kaluam në përballje me pandeminë Covid-19, kësaj radhe, falë Zotit të Madhëruar, Ramazanin që po e përmbyllim dhe festën e Fitër-Bajramit, ku e shijuam pa masa kufizuese, rikthyem atmosferën e Ramazanit në shtëpitë tona, bëmë namaze e ibadete nëpër xhamitë tona anekënd vendit, vizituam njëri-tjetrin, me një fjalë, shijuam mirësitë e Ramazanit ashtu siç e meriton ky muaj i bekuar.

“Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese, të cilat qenë të domosdoshme, por krijuan një lloj distance ndërmjet nesh”, tha Tërnava.

Tërnava shtoi se në prag të festës së Bajramit, lutemi e angazhohemi që në botë të mbretërojë paqja, mirëkuptimi, harmonia e solidariteti.

Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtojnë sot Festën e Fitër Bajramit.

Në Kosovë, manifestimi kryesor u mbajt në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fati” në Prishtinë.

Në mesazhin e tij për festën, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, bëri thirrje për paqe në të gjithë botën. Ai tha se në shumë vende ka konflikte, prej të cilave pësojnë qytetarët e pafajshëm.

“Lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja, siguria dhe mirëqenia për të gjithë”, tha Tërnava.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Tërnava tha se ky ka qenë Ramazani i parë në dy vjetët e fundit, që besimtarët e kanë shënuar pa masat kufizuese, që i ka imponuar pandemia e koronavirusit.

“Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese, të cilat kanë qenë të domosdoshme, por kanë krijuar një lloj distance ndërmjet nesh”, tha Tërnava.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat