SHFMU "Dëshmorët e Kombit" e Podujevës e kremtoi Ditën e Shkollës

Kosova

SHFMU "Dëshmorët e Kombit" e Podujevës e kremtoi Ditën e Shkollës

Më: 5 maj 2022 Në ora: 16:56
SHFMU "Dëshmorët e Kombit" e Podujevës e kremtoi Ditën e Shkollës

Sot, më 5 maj 2022, në ambientet e SHFMU "Dëshmorët e Kombit" në Podujevë u kremtua Dita e Shkollës, që përkon me Ditën e Dëshmorëve- 5 Majin.

Në fillim fjalën e hapjes e mbajti drejtori i kësaj shkolle, prof. Muhamet Jakupi, i cili të pranishmit (nxënës, mësimdhënës, drejtorë shkollash, veteranë të arsimit e të UÇK-së, familjarë të dëshmirëve dhe mysafirë të tjerë) i njoftoi me një historik të shkurtër të shkollës. Në vazhdim me fjalë përshëndetëse u paraqit znj. Marigona Lahu, nënkryetare e komunës së Podujevës e pas saj nxënësit e shkollës nën udhëheqjen e mësimdhënësve dhe të drejtorit Jakupi shfaqën një program artistik me recitale, këngë dhe valle.

E kujtesa jonë kthehet në retrospektivë dhe me ndërgjegje na rikujton se në
vargun e dëshmorëve të kombit, rrinë të rreshtuar bijat dhe bijtë më të denjë të popullit tonë.
Ardhmërinë e sigurtë të kombit tonë e pamë edhe sot në fytyrat e nxënësve llapjanë, si artistë të vegjël secili më talent se tjetri...

Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet, kalojnë edhe shekujt, por kujtimi për dëshmorët e kombit tonë mbetet prore i freskët në mendjet tona, në zemrat tona dhe në kujtesën tonë historike.

Mbetet prore i freskët dhe nuk tretet kurrë edhe malli për bijtë e bijat tona sypatrembura e atdhedashëse. Ashtu si edhe ne, edhe brezat që vijnë, do t‘i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë. Liria bashkohet me Atdheun. Gëzim e hare në çdo anë. Dritësim diellor, rreze gjak.

Liria ndërtohet me sakrifica, me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kështu pat thënë dikur një mendje e urtë. Kurse ne sot duhet ta dimë se dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir.Të këtij populli që luftoi parreshtur për liri shekuj me radhë.

Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit. Ata jetuan për ne.I kemi prore gjithkund e gjithherë.Të tillë i kemi bijtë dhe bijat tona syshqiponjë.Të gjallë përherë në kujtesën tonë. Me flamuj kuq e zi në duar, me një diell në gji, me një rreze në ballë, lundrojnë dëshmorët mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal. Rendin dëshmorët për lirinë. I ke atje, këtu… Një varr, një gur, një lapidar, një përmendore. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, që u bënë flakadanë të përjetësuar.

Lapidarë lirie i kemi në shpirt dhe në zemër, për të cilët kemi mall, por edhe jemi krenarë. Ata sot dhe gjithmonë, Kosova, Shqipëria dhe tërë Kombi Shqiptar i kanë dhe do t’i kenë Diell Lirie me rreze të dëlira, me dritë lirie.
U ndamë nga kjo e kremte tejet të ngazëllyer duke mos harruar për asnjë çast se vetë
Dëshmorët e Kombit tonë na e sollën lirinë, prandah ata janë vetë liria jonë.
Kolektivit nxënës-arsimtarë të SHFMU "Dëshmorët e Kombit" të Podujevës i urojmë suksese të mëtejme dhe shëndet e mirëqenie...
Lavdi dëshmorëve të atdheut!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat